“Deputeti vetëm ka lobuar, nuk ka ndikuar te ministri për dhënien e subvencioneve”

“Deputeti vetëm ka lobuar, nuk ka ndikuar te ministri për dhënien e subvencioneve”

Ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Eshref Shabani ka deklaruar se deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, nuk kishte ndikuar tek ish-ministri Nenad Rashiq, për dhënien e subvencioneve, por vetëm kishte lobuar me qëllim që ti’ ndihmojë komunitetit të tij.

“Unë nuk mendoj që deputeti Arifi ka pas ndikim tek ministri. Lobimi i deputetit për mi ndihmu komunitetit të vet nuk konsideroj se mund të hyjë në fushën e ndikimit”, ka thënë dëshmitari Shabani.

Këtë deklaratë, Shabani e ka dhënë në seancën e së martës, në gjykimin ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i akuzuar për ushtrim ndikimi dhe mashtrim me subvencione dhe të akuzuarit për mashtrim me subvencione, Bajram Gashi, shkruan Betimi për Drejtësi.

Deputeti Arifi, akuzohet se ka ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej mbi 25 mijë eurosh, por që sipas prokurorisë, këto para nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.

Në seancën e së martës, në pyetjen e  prokurores Drita Hajdari se lobimi i një deputeti që ishte pjesë e një partie a paraqiste krijimin e privilegjeve për një OJQ, dëshmitari është përgjigjur duke thënë se nuk e konsideron që është detyrë dhe obligim i një personi të zgjedhur nga komiteti i vet që t’iu ndihmojë atyre.

Dëshmitari tha se në periudhën e ministrave të MPMS-së, Rrahim Selmani dhe Nenad Rashiq, për dhënien e subvencioneve për komunitete, nuk kishte pasur ndonjë akt të veçantë me të cilën ishte rregulluar çështja e subvencioneve, përpos në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ai tha se për organizatën “Zëri i ashkalinjeve”, kishte dëgjuar kur kishte dhënë deklaratë në polici.

“Për këtë organizatë, unë kam dëgju pasi jam marrë në pyetje nga ana e policisë 5-6 herë, por para se të merrem në pyetje edhe pse kanë kaluar letrat përmes meje, nuk është përmend emri i kësaj organizate”, tha dëshmitari.

Ai tha se e kishte parë deputetin Etem Arifi, duke u takuar me ministrin e MPMS-së, Nenad Rashiq, dhe se ministri e kishte njoftuar në lidhje me dhënien e subvencioneve për këtë OJQ, pasi deputeti Arifi, kishte kërkuar financim nga ministria për këtë organizatë.

Prokurorja Hajdari e ka pyetur dëshmitarin nëse i kishte dhënë ministri i MPMS-së ndonjë subvencion organizatës “Zëri i ashkalinjëve”.

“Ministri ka financu edhe OJQ tjera, kjo organizatë ka qenë si çdo OJQ tjetër. Në bazë të ligjit ministri është shefi kryesor ai e ka fjalën kryesore në politikat buxhetore të një ministrie të caktuar”, është përgjigjur dëshmitari.

Sipas tij, financimi i kësaj organizate ishte bërë me vendim të ministrit Rashiq.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gashi, avokati Bahtir Tropsha ka propozuar që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarit këshilltari i ministrit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Hyseni dhe dëshmitari, i cili sipas tij, përmendet në aktakuzë, Gazmend Krasniqi.

Këto propozime, janë kundërshtuar nga prokurorja Hajdari dhe avokatja Merita Stublla-Emini, pasi sipas tyre, asnjë propozim i avokatit Troshupa nuk kishte lidhje me këtë rast, dhe se asnjëri nga dëshmitarët, nuk do të kontribuonte në zbardhjen e kësaj çështje penale, por vetëm do të zvarriste procedurën.

Trupit gjykues, në krye me gjykatësin Vesel Ismajli, ka refuzuar propozimet e avokatit Troshupa, pasi sipas Ismajlit, dëgjimi i këtyre dëshmitarëve nuk do të zbardhë rastin në fjalë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 30 mars 2018, ora 9:00.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 18 maj të vitit të kaluar, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, është deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi kishte deklaruar se i pranon veprimet e tij, por nuk e ndien veten fajtor për veprën penale “mashtrim në subvencione”.

Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro. Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, të njëjtit të shpallen fajtor për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Gjithashtu, të akuzuarit e lartpërmendur janë obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t’ia kompensojnë shumën prej 22.900.00 euro, si dhe Zyrës së Kryeministrit për Komunitete shumën prej 2.749.00 euro.