Deputeti shqiptar i LSDM-së: Nuk mundemi që ta vendosim shqipën në monedha e uniforma

11.03.2017 17:13
Deputeti shqiptar i LSDM-së: Nuk mundemi që ta vendosim shqipën në monedha e uniforma

Deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zekiri ka thënë se e mbështetë idenë e Zoran Zaevit që gjuha shqipe të mos jetë prezentë në uniformat dhe kartëmonedhat e Maqedonisë.

Në këtë mënyrë, Zekiri ka arsyetuar qëndrimin e liderit të LSDM-së, i cili tha se është kundër kushtetuese vendosja e stemave në monedhat shqiptare dhe uniformat e Maqedonisë.

“Ai (Zoran Zaev) dje e ka prezantu programin, ai e tha kështu se vlerësimi i ekspertëve kushtetues që thonë se ajo është kundër Kushtetuese dhe nuk dëshirojmë që në Maqedoni në ligj të ketë diçka që ta kontestojë nesër Gjykata Kushtetuese. Dhe për atë shkak me ekspertët që është konsultu kanë thënë se është kundër Kushtetutës”, ka thënë Zekiri, duke sqaruar idenë e Zaevit që mos të jetë prezentë shqipja në kartëmonedha dhe uniforma.

Ai ka thënë se Zaev e ka përkrahjen e tij për të mos lejuar ndryshime ligjore që bien ndesh me Kushtetutën e Maqedonisë.

“ Ne do ta bëjmë ligjin shtu që të jetë konform Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe nuk do të lejojmë asgjë të kontestohet… do të jetë e kotë që të miratojmë ndonjë ligj që pastaj do ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese. Ekspertët do të tregojnë a është diçka kushtetuese apo nuk është.. nuk është puna që vetëm të sjellim ligj e pastaj ta kontestojë gjykata kushtetuese”, ka shtuar ai.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, në prezantimin e programit qeveritar ka thënë se ekspertët kushtetues i kanë thënë se vendosja e kartëmonedhave dhe unifromave në gjuhën shqipe është antikushteturese. Por, pavarësisht kësaj kreu i LSDM-së ka thënë se është i hapur që edhe për këtë çështje të bisedohet.

Edhe në këtë pikë, Muhamed Zekiri e ka arsyetuar shefin e tij partiak që po synon të bëhet Kryeministër i Maqedonisë.

“Absolutisht ne nuk mund të votojmë, as unë si deputet dhe as deputetët shqiptar që janë pjesë e subjekteve politike diçka që është antikushtetuese dhe synimi jonë është që të sundojë ligji dhe të reflektojnë ligjet në kushtetutën e vendit dhe nuk do të bëjnë diçka që do jetë antikushtetuese”, ka shtuar Zekiri.

Zgjedhjet në Maqedoni janë mbajtur më 11 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa, fitues ka dalë partia e Nikolla Gruevskit më 51 mandate deputetësh, 2 më shumë se LSDM e Zoran Zaev.

Gruevski ka dështuar të sigurojë numrin e nevojshëm për të ndërtuar Qeverinë e re, ndërsa, Presidenti i Maqedonisë ka refuzuar t’ia kalojë mandatin Zoran Zaevit. Ende nuk është e qartë nëse do të ketë përsëri zgjedhje apo do të formohet një Qeveri nga partia që ka humbur zgjedhjet. /Lajm