Deputeti që e kërkoi kontratën milionëshe përmes një SMS-i

Deputeti që e kërkoi kontratën milionëshe përmes një SMS-i

Deputeti Milaim Zeka ka kërkuar që të ketë qasje në kontratën milionëshe të nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë britanike “Contour Global”. E këtë kërkesë ai e ka bërë duke i dërguar një SMS ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Zeka deklaroi se ministri Lluka nuk ia pranoi kërkesën për qasje në dokumentin e kontratës milionëshe të nënshkruar nga qeveria dhe “Contour Global”, raporton Insajderi.

“Kam kërkuar qe pesë muaj nga ministri Valdrin Lluka për me marrë informacione për kontratën me Contour Globalin, por nuk m’i ka ofruar, tha Zeka.

Mirëpo, këtë kërkesë të Zekës e ka cilësuar si të pavend kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka lënë të nënkuptohet se mënyra se si deputeti i Nismës ka kërkuar të ketë qasje në kontratë ka qenë komike.

“Kërkesat është mirë me i bë me procedura të parapara. Për shembull, ministri [Lluka v.j] më tregoi Milaim se ti i kishte kërkuar kontratën me një SMS. Më tha, që i kishe thanë: ‘qoma kontratën’ përmes një SMS-i. Po kjo punë nuk shkon kështu”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Milaim Zeka është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me dyshimet për mashtrim të mbi 120 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Siç ka raportuar Insajderi muaj më parë, Zeka dyshohet se është i përfshirë në një skemë të mashtrimit të qytetarëve. /Insajderi.com