Deputeti paralajmëron qeverinë për “rrezikun e Bitcoin” – i bën një pyetje zyrtare Bedri Hamzës

Deputeti paralajmëron qeverinë për “rrezikun e Bitcoin” – i bën një pyetje zyrtare Bedri Hamzës

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, ka thënë se vendet e varfra, si Kosova, shpesh herë bëhen viktima të skemave mashtruese “bëhu-i-pasur-shpejtë”.

Sejdiu lidhur me shqetësimin e tij për ‘Bitcoin’ që edhe analistët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për rrezikun që sjell kjo valutë, ka vendosur t’i parashtroj ministrit të Financave një pyetje parlamentare.

“Në vendet e varfra dhe të pashpresa si vendi i ynë, qytetarët shpesh bëhen viktimë e skemave mashtruese “bëhu-i-pasur-shpejtë”. Shumë analistë me renome paralajmërojnë se kriptovalutat janë një skemë e tillë. Një numër i madh i qytetarëve tanë po investojnë në kriptovaluta, duke rrezikuar edhe asetet me elementare personale. Rrjedhimisht, nesër planifikoj të parashtroj një pyetje parlamentare për Ministrin e Financave, si mënyrë për të ngritur vëmendjen e ekzekutivit për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe mundësisht shkatërruese për ekonominë tonë”, ka shkruar Sejdiu në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Sejdiut pyet Ministrin e Financave, Bedri Hamza se a ka ndërmarr Ministria e Financave ndonjë plan konkret për adresimin e kriptovalutës dhe për të parandaluar pasojat shkatërruese për ekonominë tonë.

Pytja e tij rrjedh kësisoj:

“Z.Ministër, pasur parasyshë se disa analistë me renome ndërkombëtare kanë paralajmëruar lidhur me rrezikun e investimeve në kriptovaluta dhe kanë vlerësuar kriptovalutat si fluska apo skema piramidale që do të përfundojnë me debakël për investitorët, si dhe pasur parasyshë pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve tanë në këto investime, a ka Ministria e Financave ndonjë plan konkret për të adresuar kriptovalutat dhe për të parandaluar pasojat potenciale shkatërruese për ekonominë tonë delikate.

Dhe nëse po, atëherë, cilat janë ato veprime që Ministria e Financave planifikon të ndërmerr, veçanërisht duke pasë parasyshë urgjencën e trajtimit të kësaj çështjeje”.