Deputeti i NISMA-s: PAN-i po tallet me votuesit

Deputeti i NISMA-s: PAN-i po tallet me votuesit

Deri dje, krerë të koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe anëtarë të tjerë të këtij subjekti patën deklaruar se i kanë siguruar votat për ta formuar qeverinë me në krye Ramush Haradinaj kryeministër. Kurse mbrëmë, deklarata e Blerim Kuçit të AAK-së se koalicioni po mundohet t`i bëjë votat, ka nxitur reagime te kolegët e tij në koalicion.

Zafir Berisha, deputet i rizgjedhur i Nismës për Kosovën ka thënë se anëtarët e PAN-it dhe të partive tjera janë duke u tallur me votuesit që u kanë dhënë votën atyre.

Sipas tij, deklarimet e njëpasnjëshme që numrat janë bërë, ose që nuk janë bërë, tregojnë joseriozitetin e skenës politike kosovare.

“Unë nuk jam i autorizuar të flasë për numrat, nuk kam kompetencë për me u marr me i bë numrat. Jam deputet dhe e di që numri im është për Ramush Haradinajn kryeministër. Por tallja me numra, po më duket pak si e tepërt, si nga këndi i PAN-it edhe nga të tjerët. Kjo e paraqet joseriozitetin e skenës politike dhe përfaqësueve politikë që kanë dalë me votë”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Duke komentuar deklaratën e Blerim Kuçit, sekretarit të AAK-së, Berisha ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione dhe jo për tallje.

Madje, ai ka kërkuar që votuesit t’i ndëshkojnë ata që po tallen me votën e tyre.

“Edhe nga PAN edhe nga të tjerët, është tallje me votuesit dhe ata me këtë tallje që po bëhet duhet të mbushen mend një herë e përgjithmonë. Nuk e di. Blerimi mund ta dijë por unë nuk jam për me bë numra. Kisha kërkuar si qytetar dhe si deputet që të gjitha partitë politike të tregohen më seriozë, në fund të fundit Kosova ka nevojë për institucione e jo për tallje ashtu siç po ndodhë aktualisht në të gjitha format në skenën politike”, është shprehur ai.

Ndryshe, që nga e premtja e kaluar kur presidenti Hashim Thaçi e ka takuar Ramush Haradinajn, ai ende nuk e ka caktuar datën e mbajtjes së seancës konstituive. Afati për ta bërë një gjë të tillë është deri më 8 gusht.