Deputeti Naser Osmani shkon në mbledhje të Kuvendit, ndërpritet seanca gjyqësore ndaj tij

01.06.2018 14:36

Deputeti Naser Osmani shkon në mbledhje të Kuvendit, ndërpritet seanca gjyqësore ndaj tij

Shkuarja e deputetit Naser Osmani në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor të së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai dhe të tjerët po akuzohen lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Deputeti Osmani, lidhur me këtë akuzohet në kohën sa ishte nënkryetar i bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Seanca e së premtes, në këtë rast që është i shënjetstruar për liberalizimin e vizave, në pjesën e pasdites, nuk ka arritur të mbahet, për shkak se deputeti Osmani, ka shkuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke mos u kthyer më në sallën e gjykimit.

Naser Osmani, ka qenë i paraparë që të merret në pyetje, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, trupi gjykues kishte vendosur që të ndryshohet rendi i marrjes në pyetje për të akuzuarit, shkruan Betimi për Drejtësi.

Avokati Berisha, këtë kërkesë e kishte bërë me arsyetimin se kishte pasur një seancë nga ora 10:00, me ç’rast pas miratimit nga trupi gjykues, marrja në pyetje kishte vazhduar për të akuzuarin e dytë në këtë rast, Bahri Shabani.

Por, deputeti Osmani, më nuk është kthyer në gjykatë as në pjesën e pasdites, ku pas bisedës në telefon ai kishte thënë se është në seancë e legjislativit të vendit, pasi që ka menduar se për të premten më ai nuk duhet të shkojë në gjykatë. “Mund të kthehem për 20 minuta, se e kam keqkuptuar procedurën”, i kishte thënë deputeti Osmani, avokati Granit Vokshi, mbrojtës i të akuzuarit Agim Deshishku.

Kurse, mos prania e Osmanit, sipas kryetarit të trupit gjykues, Shasivar Hoti pamundëson vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, me ç’rast kjo seancë është ndërprerë për të vazhduar më 13 korrik, nga ora 09:30.

Rasti kundër Naser Osmanit kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës, më 28 prill 2014.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 prill  2014, kishte marr aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse kjo prokurori, më 16 shkurt 2016, kishte ngritur  aktakuzë kundër ish-deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, të gjithë zyrtarë në AKP, si dhe Agim Deshishku.