Deputeti i LDK-së kritikon Thaçin për medaljen që ia ndau kryeparlamentarit të Shqipërisë

Deputeti i LDK-së kritikon Thaçin për medaljen që ia ndau kryeparlamentarit të Shqipërisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka kritikuar vendimin e presidentit Hashim Thaçi për të nderuar me medalje për Liri e Pavarësi, kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Kundërshtimin e tij, Selmanaj e ka shprehur me një postim në profilin e tij në Facebook.

“Hashim Thaçi e paska dekoru Gramoz Ruçin me medaljen për Liri dhe Pavarësi. A din kush me na tregu cili është kontributi i Gramoz Ruçit për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës??! Mos u mundoni se nuk do arrini të gjeni asgjë. Klishe gjithandej”, ka shkruar Selmanaj.

Sot, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është pritur në takim nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ruçi është dekoruar nga presidenti Thaçi me medaljen për Liri dhe Pavarësi. Presidenti i Kosovës tha se ky çmim i jepet Ruçit për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është shprehur i befasuar me këtë dekoratë që i është dhënë nga shteti i Kosovës në vizitën e tij të parë si kryetar Kuvendi.

“Kjo është dekorata e parë që unë marr nga presidenti i Kosovës, i jam shumë mirënjohës. Kontributi për lirinë e Kosovës nuk i përket asnjë individi, as mua dhe pavarësisht të gjithave… spektrit politik shqiptar, të gjithë deputetëve shqiptarë ka qenë ëndrra e të gjithëve ka qenë që pavarësia e Kosovës të bëhet realitet. Kështu që ky vlerësim që më behët mua sot unë ia atribuoj dhe ia dedikoj bashkatdhetarëve të mi në Shqipëri, pavarësisht se cilit spektër politik i takojnë”, tha Ruçi.