Deputeti i LDK-së: PDK dhe opozita po përgatisin terrenin

Deputeti i LDK-së: PDK dhe opozita po përgatisin terrenin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi është i bindur se partia me të cilën janë në koalicion, PDK-ja e Hashim Thaçit bashkë me opozitën janë duke e përgatitur terrenin, por pa treguar se për çfarë terreni bëhet fjalë.

Sipas tij, secili votues i LDK-së dhe qytetarë i Kosovës po e thotë vazhdimisht se “ka muaj që ministrat nga radhët e LDK-së nuk shihen dhe nuk dëgjohen, ndërsa opozita dhe PDK-ja përgatit terrenin?”.

“Po ashtu ju bëjnë thirrje: Dilni publikisht dhe tregoni kush janë këta që kanë organizuar protestë! Dilni tregoni si po e trajtojnë këta sot shtetin”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook.

Ai u ka bërë thirrje ministrave të LDK-së në Qeverinë e Kosovës që tregojnë se kush janë opozita.

“Dilni tregoni kush mund të jenë këta nesër. Dilni tregoni kush janë udhëheqësit e AAK-së, Vetëvendosjes e NISMA-s. Por mos harroni me i tregu popullit edhe kush jeni ju. Dilni dhe tregoni pse duhet të qeverisë kjo Qeveri”, ka shkruar Gashi, duke i bërë thirrje kolegëve të tij nga partia që mos të fshihen.

“Dilni ose ikni – ministra frikacak! U bënë 7 muaj populli nuk ju ka pa, populli nuk ju ka dëgju, dilni mbroni qeverinë ku jeni, dilni mbrojeni popullin nga këta që nga sheshi në emër të popullit kërcenojnë popullin e shtetin. Dilni ose ikni”, ka përfunduar deputeti Gashi, që njihet edhe si një ndër deputetët kundërshtues së Hashim Thaçit, president të Kosovës.