Deputeti i AAK kërkon sqarim nga Vetëvendosja për aferën e publikuar nga Insajderi

Deputeti i AAK kërkon sqarim nga Vetëvendosja për aferën e publikuar nga Insajderi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, në seancën e sotme ku po mbahet interpelanca ndaj kryeministrit për krim dhe korrupsion, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të sqarohen lidhur me aferën e dy zyrtarëve të tyre, që është publikuar nga Gazeta Insajderi.

“Është mirë që u përmenden të gjitha dyshimet që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin u përmenden këtu një herë 8 milion njëherë 53 milion, u përmend Bechtel Enka  por ndoshta do të ishte mirë që zonja Pacolli ta kishte vendosë në këtë listë edhe një aferë e cila ka dal kohëve të fundit, “afera printo VV”. Nuk është mirë që ne të jemi selektiv dhe ta sulmojme një palë. Qoftë vetëm si pretendim që ta kishin dhënë edhe një sqarim për këtë aferë”, tha Nitaj.

Gazeta Insajderi, ka publikuar të marten bisedën e inçizuar që dëshmon përfshirjën e dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në një skemë të dyshimtë korruptive.

Nexhat Kryeziu dhe Liridon Latifi, kishin planifikuar dhe zbatuar një skemë të prishjes së një konkursi për dhënien me qira të lokaleve komunale afër Katedralës. Të pakënaqur me fituesit e konkursit publik, e kanë anuluar atë për shkak se dy njerëz, ndihmues të Vetëvendosjes nuk kishin fituar.

Biseda është bërë në zyrën e Kryeziut në janar të këtij viti. Pak ditë më vonë e kanë anuluar konkursin. Të dy e kanë konfirmuar këtë bisedë, por nuk janë përgjigjur ende në pyetjet e Insajderit rreth kësaj afere.

Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ashpër ndaj Adem Grabovcit dhe të tjerëve, kur ishte publikuar “Dosja e Shefave”, por po heshtë lidhur me përfshirjen e dy zyrtarëve të saj në aferën e dyshimtë, që u publikua të marten./Insajderi.com