Deputeti dhuron pagën për familjet në nevojë në prag të festës së Kurban Bajramit

Deputeti dhuron pagën për familjet në nevojë në prag të festës së Kurban Bajramit

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Haxhi Avdyli, ka vendosur që pagën e parë si deputet ta shpërndajë për njerëzit në nevojë.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në Facebook.

“Dje ishte dita kur më doli paga e parë e deputetit prej 1300 €. Sot , në vigjilje edhe të festës së Kurban Bajramit kam vendos që kjo pagë të ju kthehet qytetarëve në nevojë”, ka shkruar ai.

“Në konsultim me Petrit O. Hoxhaj dhe Artan Hoxha kemi identifikuar nje familje me ardhura të uleta i cili ka në proces ndërtimin e shtëpisë i cili do përfitoj 500 €”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se shuma e mbetur do ndahet për 19 familje të përzgjedhura me kujdes në shuma nga 20 deri 50 €.

“Për shkak të diskrecionit nuk do postoj as emra as foto dhe nuk do ia dorëzoj asnjërit shumën personalisht por përmes miqve të lartcekur”, ka shkruar deputeti Avdyli.

Dhe në fund ai ka uruar për festën e Kurban Bajramit./Insajderi.com