Deputeti britanik që ironizonte me Shqipërinë, lavdëron kosovarët

Deputeti britanik që ironizonte me Shqipërinë, lavdëron kosovarët

Fëmijët nga Kosova kanë ndihmuar në ngritjen e rezultateve pozitive në shkollat britanike, ka thënë sot anëtari i Parlamentit të Britanisë së Madhe, Michael Gove.

Gove, i cili ka shërbyer si sekretar i Arsimit 2010 deri në vitin 2014, ka thënë se kryeqyteti britanik, Londra, ka përfituar nga diversiteti i popullsisë.

“Londra ka përfituar nga diversiteti i popullsisë së saj”, tha për gazetën britanike The Courier ish-sekretari i Arsimit në Britani të Madhe.

“Në shumë raste, prindërit që kanë pritshmëritë më të mëdha për fëmijët e tyre janë ata që kanë ardhur në kryeqytet si refugjatë nga vende të tilla si Kosova dhe Somalia”, ka deklaruar Michael Gove.

Por Gove paralajmëroi gjithashtu se migrimi ka edhe kosto negative, me klasat që duhen të rriten për kah numri i nxënësve, shkruan Insajderi.

Duke folur në Forumin Global të Arsimit dhe Shkathtësive në Dubai, Gove ka thënë: “Ka shumë dëshmi që diversiteti i Londrës ka ndikuar në rritjen e standardeve arsimore”.

“Shumë nga fëmijët, ose prindërit e të cilëve kanë ardhur këtu [në Britani v.j.] në vitet e fundit, kanë pritshmëri jashtëzakonisht të larta nga sistemi i shtetit dhe kështu disa nga prindërit më të involvuar, janë ata që kanë ardhur nga Somalia apo Kosova”, ka thënë Gove.

Sipas Gove, prindërit kosovarë që jetojnë në Britani “duan që fëmijët e tyre të kenë sukses në Britani, si qytetarë britanikë, dhe kështu ata kanë pritshmëri të mëdha nga shkolla, edhe si shkollë por edhe si institucion që u jep njerëzve ndjenjën e të qenit britanik”.

Gove ishte pro largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ai në një kolumnë të publikuar vitin e kaluar në “Daily Mail” paralajmëronte se Britania mund të bëhej sikurse Shqipëria nëse do qëndron në BE.

Ish-sekreati i Arsimit dhe po ashtu i Drejtësisë së Britanisë së Madhe ironizonte me Shqipërinë.

“Mendoni se BE-ja tani është keq? Prisni derisa te anëtarësohet Shqipëria, ka shkruar ministri qe mbështet braktisjen e unionit ne një artikull te publikuar ne “Daily Mail”. Ai paralajmëron se zgjerimi i BE me anëtare te rinj si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia do te sillte brenda kufijve te vendit 88 milionë njerëz nga shtetet me te varfra te Europes”, deklaronte Gove.

Gove aktualisht shërben si anëtar i Parlamentit të Britanisë së Madhe, dhe përfaqëson Partinë Konservative. /Insajderi.com