Deputeti, banditi dhe kriminelët që na shesin mish të prishur

Belgjika është tmerruar nga skandali i mishit të prishur. Të gjithë janë në këmbë: prokurorët, parlamentarët e qeveritarët. Këtu askush nuk është në këmbë. Asnjë qeveritar e asnjë deputet. Derisa shteti nuk lëviz, shitësit e mishit të prishur do të vazhdojnë të imagjinojnë skenare frikësimi për gazetarët, ku do të përfshihet sharritja me kallashnikov

Deputeti, banditi dhe kriminelët që na shesin mish të prishur

Ishin bërë pesë ditë prej se kishim publikuar emrin e kompanisë kosovare të përshirë në skandalin e mishit që përfshinte Belgjikën dhe Kosovën. Derisa shteti belg ishte ngritur në këmbë, në Kosovë pushtetarët nuk e kanë bërë ende asnjë hap.

Mosndërmarrja e masave nga shteti i dobët i kishte dhënë guxim biznesmenit nga Rahoveci.  Kishte telefonuar në redaksi të Insajderit.

“…se me ju q.. nanën e marrë vet kallashnikovin edhe duhet me ju sharritë krejt, rrapa rrapa”, ishte “selami” Anton Jupës. Kishte folur si bandit për të frikësuar gazetarët. Zgjodhëm t’i kundërvihemi.

Ne e bëmë publik kërcënimin e tij dhe e raportuam në polici. Kompania e tij “Euro Ida”, ishte e kontraktuar nga kompania “Veviba”.

Për dallim prej Kosovës, pronari i kompanisë belge nuk ka kërcënuar ende asnjë medium që ka raportuar për skandalin e mishit të prishur.

Nuk guxon ta bëjë këtë. Nuk operon në një vend, i cili udhëhiqet nga një klasë politike e korruptuar.

Për dallim prej Kosovës, Belgjika është tmerruar nga skandali i mishit të prishur. Të gjithë janë në këmbë: prokurorët, parlamentarët e qeveritarët.

Por, çfarë po ndodh në Kosovë?

Ne këtu jemi më të rrezikuar se sa belgët. Ishte paraparë që ne ta hamë atë mish.

Këtu askush nuk është në këmbë. Asnjë qeveritar e asnjë deputet. Nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Prokurorët, drejtues të Doganës e AVUK-ut e bënë të kundërtën. Nuk pranuan ta bëjnë publik emrin e kompanisë kosovare që në vitin 2016 kishte tentuar që të na helmonte neve, qytetarëve të Kosovës.

Ata mbrojnë interesat e banditëve e kriminelëve, të cilët për interes të përfitimit material janë në gjendje të helmojnë me mish të prishur të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në skandalin e mishit të prishur nuk i është i përfshirë vetëm biznesmeni nga Rahoveci. Ka arsye se pse parlamenti në Kosovë nuk diskuton për këtë skandal, siç vepron parlamenti në Belgjikë.

Arsyeja është Ramiz Kelmendi, pronari i korporatës “Elkos Group” dhe deputeti i partisë opozitare, LDK-së. Muajin e kaluar, inspektorët zbuluan një sasi prej 550 kilogramësh mish të prishur.

Sasi të njëjtë të mishit të prishur, inspektorët zbuluan edhe në kompaninë “Viva Fresh”, pronë e multimilionerit nga Shtimja, Xhevdet Rexhepit.

Ky mish në sasi prej mbi 1 tonësh është asgjësuar, por askush nuk rrezikon dënimin me burg për shkak të përfshirjes në këtë skandal. Rasti do të minimizohet nga autoritetet shtetërore. Të ndikuar nga multimilionerët e fuqishëm, prokurorët e gjyqtarët do t’i shpallin të pafajshëm.

Këto janë vetëm disa nga rastet kur kompanitë ofrojnë mish të prishur për konsumatorët e tyre. Numri i tyre është shumë i madh dhe ata mund të ndalohen vetëm nga shteti, nëse vendos që të tregojë dhëmbët për interes të qytetarëve..

Për pushtetarët nuk përbën kurrfarë rëndësie rreziku i helmimit të popullsisë nga mishi i prishur. Ata, pushtetarët, nuk janë të rrezikuar personalisht. Ata nuk janë target i ofertave të kompanive private që e nxjerrin mishin e prishur me çmim jashtëzakonisht të lirë. Pre e këtyre ofertave janë të varfrit.

Kjo kastë biznesmenësh do të vazhdojë të përfitojë në kurriz të tyre. Do të shfrytëzojë shtetin e dobët. Derisa nuk kanë telashe me shtetin atëherë do të merren me gazetarët.

Në kokën e tyre do të imagjinojnë skenare frikësimi për gazetarët, ku do të përfshihet sharritja me kallashnikov.