Për sot në orën 16:00 është thirrur seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Ligjit për Shënjimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Deputetët kanë filluar tashme të zënë vendet e tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës, teksa presidenti Hashim Thaçi është deklaruar në rrjetin social Twitter.
Por, deklarimi i Thaçit nuk ka të bëjë asgjë me ratifikimin e demarkacionit. Presidenti ka folur për Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
“Për këtë Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, dëshiroj të riafirmoj se Kosova ndan vlerat e Frankofonisë dhe mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së gjuhës frënge dhe diversitetit gjuhësor”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi, tre vite më parë kur shërbente si ministër i Jashtëm i Kosovës, kishte nënshkruar marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Marrëveshja që ai kishte nënshkruar me homologun e tij malazez, asokohe, është kundërshtuar nga opozita në dy legjilaturat e fundit. /Insajderi.com