Deputetët kërkojnë hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre

Deputetët kërkojnë hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre

Katër deputetët opozitarë – Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli – kanë kërkuar nga gjykata që të hedhë poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Në kërkesën dërguar Gjykatës Themelorë në Prishtinë, ata pretendojnë se vepra për të cilën akuzohet nuk përbën vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë mirë se këta kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen nga aktakuzë.

“Vepra për të cilën akuzohet nuk përbën vepër penale, ngase veprimet e ndërmarra në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë ndërmarrë në kuadër të  fushëveprimit të deputetëve të zgjedhur nga populli”, thuhet në arsyetimin e kërkesës.

Ata i janë referuar nenit 74 të kushtetutës që thotë se “deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”.

Katër deputetët akuzohen për përdorim të armës për shkak të gjuajtjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Por, ata kontestojnë se gazi lotsjellës është armë.

“Prokuroria në këtë çështje nuk ka përfshirë as për së afërmi dëshmitë e qarta dhe të bazuara mirë se të pandehurit kanë përdorur mjetin i cili është prodhuar apo krijuar me qëllimin kryesor që të shkaktojë kryerjen e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve apo ndaj pasurisë”, thuhet në arsyetim, duke iu referuar përkufizimit të armës i cili thotë se një mjet konsiderohet armë kur përdoret me qëllim kryesor të shkaktimit të lëndimit fizik të një personi tjetër.

Deputetët po ashtu kanë kundërshtuar provat e sjellura nga gjykata duke thënë se “provat nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme nga policia, prokurori i shtetit ose organi tjetër qeveritar”./Insajderi