Deputetet e VV-së vizitojnë aktivistët e tyre në paraburgim

Deputetet e VV-së vizitojnë aktivistët e tyre në paraburgim

Dy deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë vizituar aktivistët e VV-së që janë në qendrat e paraburgimit në Pejë, Lipjan e Prizren.

Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për media bën të ditur se ka miratuar kërkesën e deputeteve Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, për të vizituar Qendrën e Paraburgimit në Pejë, Lipjan dhe Prizren.

“Gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, deputetet kanë marrë opinionet e të burgosurve dhe trajtimit të tyre. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet në funksion të zbatimit të ligjit dhe aplikon standardet e përcaktuara me ligj, por vizitat në qendrat e paraburgimit nuk duhet të kenë motive politike”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë shprehet se për të vizituar qendrat e paraburgimit, ekziston procedurë standarde për komisionet parlamentare, megjithatë, duke qene se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar për të siguruar transparencë maksimale të procesit, ka miratuar kërkesat individuale të deputeteve.

“Deri në marrjen e raportit zyrtar, Ministria e Drejtësisë mbështet mjekët ligjorë për fillimin sa më të shpejtë të obduksionit në përbërjen e kërkuar nga familja e të ndjerit dhe fton të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të përmbahen nga paragjykimet lidhur me rastin.
”, thuhet në kumtesë.

Kërkesa e Vetëvendosjes për vizitimin e aktivistëve të saj në paraburgim, vjen pas vdekjes së aktivistit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /Insajderi.com