Deputetët e LDK-së që demantojnë unitetin e partisë për demarkacionin

Një ditë para votimit të marrëveshjes së demarkacionit, LDK njoftoi se partia “është unike” në qëndrimin e saj për këtë çështje. Megjithatë, deklaratat publike të disa prej deputetëve tregojnë se në parti ka mospajtime që mund ta rrezikojnë votimin në Kuvend.

Deputetët e LDK-së që demantojnë unitetin e partisë për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të provojë sërish stresin që e kishte pasur në ditën kur Hashim Thaçi votohej për president të vendit.

Atë ditë, Thaçi nuk arriti të zgjidhej deri në rundin e tretë të votimit, ndërsa sytë ishin kah Isa Mustafa, i cili duhej të bindte deputetët e LDK-së, vota e të cilëve ishte e domosdoshme bazuar në një marrëveshje koalicioni mes dy partive.

Më 1 shtator, në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se një viti që kur është nënshkruar, marrëveshja e demarkacionit do të jetë “në duar” të deputetëve.

Sipas ligjeve në fuqi, marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me shumicë prej 80 deputetëve, por bazuar në deklarativet publike që kanë ardhur nga “kampi” qeveritar, votat ende nuk janë siguruar.

Të tillë deputetë ka edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ani pse kjo parti tha të mërkurën në mbrëmje se ata do të votojnë unanimisht marrëveshjen.

Në fakt, deputeti Shpejtim Bulliqi që vjen nga kjo parti, ka qenë nga më të zëshmit kundër kësaj marrëveshje.  Ai ka iniciuar edhe një tryezë më 3 gusht ku u ballafaquan ekspertët e Komisionit Shtetëror për demarkacion me ekspertët që përfaqësonin opinionin e opozitës.

Takimi nuk shërbeu asgjë, meqë të dy palët nuk ndryshuan qëndrimet e tyre “të cementuara” lidhur me çështjen.

Deputeti Anton Quni, që vjen nga Rajoni i Dukagjinit, po ashtu ka dalë hapur kundër kësaj marrëveshje ndërsa në këtë listë hyn edhe deputeti Adem Salihaj.  Mediat kanë raportuar po ashtu se edhe deputetja Besa Gaxherri, e cila vjen nga Peja, rajon ky që preket me versionin e ri të marrëveshjes, është kundër.   Në anën tjetër, deputetët Vjosa Osmani e Arben Gashi kanë thënë se qëndrimin e tyre përfundimtar lidhur me marrëveshjen do ta tregojnë në seancë, duke mos përjashtuar mundësinë që të votojnë kundër.

Një deklaratë interesante ka dhënë deputeti tjetër Nuredin Ibishi.  Ai ka thënë se megjithëse marrëveshja nuk është në rregull, ai prapë se prapë do ta votojë atë.

Përmes një deklaratë të mëhershme lidhur me këtë çështje, LDK thoshte se në parti ka qëndrim të përbashkët dhe kuronte nga deputetët që janë kundër që të tregojnë se cilin koalicion e përfaqësojnë, duke iu referuar kështu koalicionit qeverisës dhe atij opozitar.

Përvec deputetëve të LDK-së, edhe deputetë nga PDK kanë shprehur dyshimin e tyre lidhur me marrëveshjen.

Partiët opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, AAK e NISMA, kanë thënë se do të kundërshtojnë këtë marrëveshje.  Për të enjtne, Vetëvendosje ka thirrur një protestë që sipas tyre do të jetë masive.  AAK e NISMA nuk i janë bashkuar protestës duke thënë se këtë marrëveshje do ta kundërshtojnë përmes votës./Insajderi.com