Deportohet nga SHBA “gjermani i fundit nazist”

Deportohet nga SHBA “gjermani i fundit nazist”

Një bashkëpunëtor ish-nazist, 95 vjeç, i cili shërbeu për forcat naziste si roje kampesh në Luftën e Dytë Botërore, mbërriti në Gjermani pas një beteje të gjatë deportimi në SHBA.

Jakiw Palij ka qenë pa shtetësi, pasi një gjykatës federal revokoi shtetësinë e tij amerikane në vitin 2003. Për vite me rradhë Gjermania refuzoi ta pranonte atë pasi ai kurrë nuk kishte kombësi gjermane.

Pas mbërritjes në Düsseldorf ai u dërgua në një shtëpi të moshuarish, shkruan BBC. Ambasadori i SHBA në Berlin, Richard Grenell, përgëzoi qeverinë e re të Gjermanisë për zgjidhjen e rastit.

Autoritetet besojnë se ai ishte bashkëpunëtori i fundit nazist që jetonte ende në SHBA. Palij thuhet se ka lindur në një zonë të Polonisë që tashmë është pjesë e Ukrainës.

Në vitin 1943 ai shkoi në kampin e stërvitjes Trawniki në Poloni të pushtuar nga nazistët.

Trawniki ishte i njohur për shkak se aty ishin trajnuar mijëra civilë nga zona të cilët shërbyen si roje të kampeve të vdekjes në Sobibor, Treblinka dhe Belzec.

Roja më famëkeq i kampit ishte John Demjanjuk, i cili u dënua nga një gjykatë pasi kishte ndihmuar në 28,000 vrasje në Sobibor. Ai gjithashtu u deportua nga SHBA, në vitin 2009.

Hebrenjtë u dërguan në kampe si pjesë e Operacionit Reinhard, plani nazist për të vrarë më shumë se dy milionë hebrenj në Poloninë e pushtuar.