(De)politizimi i spitaleve – ministri i Shëndetësisë përplaset me kryetarin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës

(De)politizimi i spitaleve – ministri i Shëndetësisë përplaset me kryetarin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe ai i Vushtrrisë dje në një deklaratë të përbashkët kanë akuzuar PDK-në dhe ministrin e Shëndetësisë që vjen nga kjo parti, për politizim të sistemit të shëndetësisë.

“Shprehim shqetësimin tonë të përbashkët në lidhje me rastet e fundit të tentimit për politizim të spitaleve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, me çka po dëmtohet rëndë sistemi shëndetësor, i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur”, thuhet në reagimin e përbashkët të të dy kryetarëve.

Sipas tyre, “Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismaili të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të  subjektit politik PDK apo edhe familjar të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor”.

“I bëjmë thirrje PDK-së që t’i mbajë duart larg nga shëndetësia, sepse veprimet e tyre të fundit janë rrezik për sistemin shëndetësor të komunave tona me më shumë se 200 mijë banorë”, vazhdon reagimi.

“E kuptojmë panikun që e ka kapur PDK-në pas humbjeve në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, por që këto humbje nuk duhet të shërbejnë si arsye për t’i zaptuar institucionet e pavarura, e aq më pak institucionet e shëndetësisë”, thuhet më tej aty.

Në po të njëjtën deklaratë, kryetarët në fjalë kanë thënë se janë të shqetësuar me këtë gjendje, ku ShSKUK në koordinim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, është në prag të zgjedhjes për drejtorë të Spitalit të Mitrovicës dhe Spitalit të Vushtrrisë,  dy persona që asnjë ditë pune nuk e kanë në sistemin shëndetësor e as që kanë shkollim për shëndetësi, por që të vetmen ‘meritë’ e kanë se i kanë shërbyer PDK-së për shumë vite.

“Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asambleist i PDK-së dhe ish drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit”, precizohet në deklaratën e kryetarëve.

Ata u kanë bërë “thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve”.

“Anulimi i këtij konkursi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin specialistët më të devotshëm të shëndetësisë, do t’ia kthente dinjitetin sistemit shëndetësor dhe shpresën qytetarëve se mund të trajtohen profesionalisht në spitalet e tyre, e jo të marrin rrugë drejt spitaleve të shteteve rreth nesh”, përfundon reagimi.

Ismaili: Bahtiri dhe Tahiri s’e kanë hallin te qytetarët, por te vetja

Kjo deklaratë e përbashkët me këto akuza ndaj PDK-së dhe ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka ngjallur reagimin e këtij të fundit.

Ai ka thënë se të dy kryetarët edhe mund të kenë shqetësime  të tilla, por jo për qytetarët, por për vete.

“Është e vërtetë që ata mund të jenë të shqetësuar. Mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten e tyre”, ka shtuar ministri Ismaili në përgjigjen e tij.

“Kur flasin për “politizim” dhe “dëmtim të sistemit shëndetësor”, Bahtiri e Tahiri realisht mendojnë në “punët” që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre”, ka shtuar ai.

Sipas Ismailit, “me reformat që kemi nisur në shëndetësinë kosovare – largohen të papërgjegjshmit që u shërbejnë klientelave dhe afrohen profesionistët që u shërbejnë qytetarëve”.

“E di se kjo dhemb shumë. Sepse, për ata që kanë instaluar klientelizmin në qytetet e tyre, qoftë në spitalet rajonale, qoftë në shërbimet spitalore, prerja e rrënjëve të krimit – nënkupton dobësimin e tyre dhe forcimin e qytetarëve”, ka shkruar ai, duke u përgjigjur dy kryetarëve.

Ai ka thënë se “vizioni i PDK-së, të cilin unë si Ministër i Shëndetësisë jam duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët”.

“Sa për konkurset, ato hapen nga SHSKUK dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë. Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e Drejtorit të SHSKUK-së. Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia”, ka vazhduar ai.

“E dimë të gjithë rrëfimin për shëndetësinë e udhëhequr nga LDK gjatë mandatit të kaluar qeverisës. E kanë shtrirë atë përtokë. di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë”, thuhet më tej në postimin e ministrit.

Ministri Ismaili thotë të jetë ndier mirë me statistikat e fundit që tregojnë për punën në shëndetësi.

“Së fundi, jam ndjerë jashtëzakonisht i kënaqur me statistikat që tregojnë se me funksionalizimin 24-orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të QKUK-së, është rritur dukshëm vëllimi i punës dhe janë shënuar rezultate në reduktimin e listave të pritjes. Ndër të tjera, janë kursyer edhe 3 milionë euro”, ka vlerësuar Ismaili.

“Po i ndaj me të gjithë këto statistika. Janë zhvillime pozitive, aq shumë të nevojshme, që japin shpresë për atë që besojmë – shëndetësinë e mirë”, ka përfunduar ai./Insajderi.com