Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

06.03.2017 15:47
Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Përveç “korrupsionit endemik brenda Qeverisë së Kosovës” të evidentuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e saj vjetor për Kosovën, ky institucion e ka cilësuar një problem kryesor të të drejtave të njeriut edhe veprimet e opozitës kosovare në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një raporti të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit – Byroja për Demokraci, Drejta të Njeriut dhe Punë – për zhvillimet në Kosovë gjatë vitit 2016, janë kritikuar veprimet e opozitës në Parlamentin e Kosovës me gazin lotsjellës.

Ky raport sugjeron se këto veprime të opozitës kanë qenë njëra nga problemet kryesore të të drejtave të njeriut, për shkak të pengimit të debatit të lirë dhe kalimit të legjislacioneve.

departmant

“Një nga problemet kryesore të të drejtave të njeriut ishte pengimi i herë pas hershëm me dhunë i parlamentit nga deputetët e opozitës, duke bllokuar debatin e lirë dhe kalimin e legjislacioneve”, shkruhet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit në internet, më 3 mars të këtij viti.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka evidentuar po ashtu edhe nivelin e lartë të korrupsionit brenda Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2016, të cilin e ka quajtur “korrupsion endemik”. Ka theksuar se niveli i lartë i korrupsionit nuk është evidentuar vetëm brenda qeverisë, por edhe në sektorin privat.

“Korrupsioni endemik në qeveri dhe në sektorin privat u shoqërua me mungesën e dënimit për vepra korruptive, e që mbeti një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Për të vazhduar më tej, Departamenti i Shtetit shkruan për dorëheqjen e ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, pas përfshirjes në një afër korruptive.

“Më 18 korrik, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani dha dorëheqjen pas padisë së ngritur ndaj tij në lidhje me një rast të korrupsionit në sektorin shëndetësor. Më 15 qershor, Ministri Agani është akuzuar së bashku me 63 persona të tjerë (duke përfshirë këtu edhe 44 mjekë) në të ashtuquajturin ‘Rasti Stenta’”, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i cilësoi të paefektshme përpjekjet për luftimin e korrupsionit nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të tjera të shtetit. /Insajderi.com