Denzel Washington shkëlqen në filmin “Fences”

Denzel Washington shkëlqen në filmin “Fences”

Troy është një punëtor krahu nga Pittsburgu. Ai flet për jetën dhe shanset e humbura sepse e di ç’do të thotë të humbësh. Një lojtar premtues bejsbolli që nuk arriti asnjëherë të bëhet pjesë e kampionateve të rëndësishme.

Atë çfarë nuk bëri dot në jetë, e bën në shtëpi, duke kujtuar gjithnjë se kush komandon. Marrëdhënia e tij me djalin e vogël Cory është pak të thuhet kontradiktore.

Aktrimi i mirë e ka bërë Denzel Washington pretenduesin kryesor për t’u propozuar për “Oscar”. Portreti i Troyit nxjerr në pah ndarjet raciale që ekzistonin në Amerikën e viteve 50.

Russell Hornsby, i cili luan në rolin e djalit të madh Lyons, një muzikant në përpjekje, në rivalitet për të fituar respektin e të atit, thotë për “Zërin e Amerikës” se sikurse në rol, filmi hedh një vështrim mbi marrëdhëniet babë e bir në familjen afrikano-amerikane.

“Ai është në kërkim të dashurisë dhe familjes, të pranohet dhe të mbështetet nga i ati. Historikisht shumë meshkuj me ngjyrë kanë jetuar pa këto, ndaj dhe ndonjëherë janë të dërrmuar e kokulur”, thotë zoti Hornsby.

Gjatë intervistës për “Zërin e Amerikës” Denzel Washington thotë se filmi dhe personazhet e tij e kanë fituar garën:

“Tema e filmit është universale. Qëndron përtej së bardhës dhe të zezës, mbërrin tek gruaja dhe burri, babai dhe djali, nëna dhe i biri”.

E njëjta gjë vlen sipas tij edhe për karakterin e brendshëm të Troyit. Ai nuk përcaktohet prej ngjyrës së tij të lëkurës, por shkon drejt e në bërthamën dhe psiqikën e tij si qenie njerëzore.

“August Wilson ka sjellë një kryevepër, një nga shfaqjet më të mëdha në historinë amerikane. Është nder që m’u kërkua të aktroj, është nder ta prodhoj, të jem regjisor dhe të jem pjesë e saj”, thotë Denzel Washington.

Viola Davis ofron një aktrim të denjë për një “Oskar” në rolin e Roses, gruas së Troit, aty ku ai mbështetet.

Filmi “Barrierat” ka shanse për të fituar disa çmime “Oskar”, veçanërisht pas vitesh kritike se akademia e çmimit presitigjoz i ka injoruar njerëzit me ngjyrë. Por, Hornsby thotë se çmimet nuk janë në mendjen e aktorëve.

“Ta themi ndershmërisht, kemi fituar tashmë. Na bën fitimtarë thjesht fakti që jemi ulur përpara jush dhe që e kemi përfunduar filmin, që njerëzit të mund ta shohin e të jenë dëshmitarë të gjenielitetit të August Wilson”, – thotë Russell Hornsbye./VOA