" />

Dentisti Albin Tahiri për Reuters: Në Kosovë infrastruktura shumë e keqe, nuk ka kushte për skitarët

Dentisti Albin Tahiri për Reuters: Në Kosovë infrastruktura shumë e keqe, nuk ka kushte për skitarët

Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ i ka kushtuar një shkrim skitarit nga Kosova, Albin Tahiri, i cili këtë javë debutoi në Lojërat Olimpike dimërore “PyeongChang 2018” në Korenë e Jugut.

Tahiri debutoi në LOD të martën, në garën e kombinimit alpin në të cilën aipërfundoi i 37-ti, në plasman të përgjithshëm.

Në garën e lëshimit, që është disiplina e parë e kombinimit, Albini arriti shpejtësinë maksimale 105,5 km/h, kurse koha e tij ishte 1,23.84. Në garën e sllallomit, Albini ishte i 36-ti, me kohë 59.56s, duke bërë që të ketë kohë të përgjithshme 2,23.40 dhe duke përfunduar i 37-ti në plasmanin e përgjithshëm.

Reuters i ka kushtuar një shkrim Tahirit, ku e përshkruan si dentistin i cili ka pritur me vite për t’u bërë Olimpisti i parë dimëror i Kosovës.

“Tahiri, shteti i të cilit fitoi pavarësinë nga Serbia një dekadë më parë, është atleti i vetëm kosovar në Olimpiadë që planifikon të merr pjesë në pesë eventet individuale në skijimin alpin, para se të rikthehet në shtëpi për të vazhduar me profesionin e tij”, thuhet në shkrimin e Reuters, përcjell Insporti

Në garën e tij të parë në disiplinën e kombinimit, ku morën pjesë shumë skitarë më të njohur, Tahiri arriti në pozitën e 37-të në renditje.

“Ishte shumë e akullt, kështu që pata shumë probleme. Por kur pashë djemtë tjerë duke u rrëzuar, vendosa ta përfundoj garën për shkak se është gara jonë e parë dhe doja të përfundoja kompeticionin tim të parë në Olimpiadë”, tha ai për Reuters menjëherë pasi përfundoi garën.

Tahiri, i lindur në Slloveni nga një nënë sllovene dhe një baba shqiptar nga Kosova, ka ëndërruar të përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë që një kohë të gjatë, por shteti, i cili nuk posedon kushte ideale për skijim, pranoi në vitin 2014 njohjen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

“Atje kemi male por infrastruktura është shumë e keqe. Teleferikët janë shumë të vjetër, dhe në veçanti pistat nuk janë të përgatitura mirë”, tha Tahiri për Reuters duke treguar për kushtet e skijimit në Kosovë.

Për këtë arsye, Tahiri ka thënë se kryesisht stërvit në Austri, Itali dhe Slloveni – ku edhe jeton, dhe së fundmi ka diplomuar në stomatologji – një fushë që sipas tij i jep ndjesinë e veçantë si skijimi.

“Gjatë këtyre viteve që kam pritur për Kosovën t’i bashkohet familjes Olimpike kam vendosur të pres dhe të studioj, kështu që jam diplomuar në stomatologji, i cili është pasioni im. Në fakt, kirurgjia orale është pasioni im”, shtoi Tahiri.

Tahiri, i cili të enjten mbush 29 vjet, tashmë ka thyer vëmendjen e tij kah Lojërat Olimpike në Pekin, që do të mbahen në vitin 2022. /Insporti.com