Denoncimi i drejtorit të KEDS-it nga sindikalistët vazhdon të mbetet në procedurë

Federata e Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës, kishte bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të KEDS-it, George Karagutof. Ata e kishin akuzuar për mosrespektim të Ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive. Mirëpo, prokuroria tash e një vit këtë çështje e ka në procedurë.

Denoncimi i drejtorit të KEDS-it nga sindikalistët vazhdon të mbetet në procedurë

Federata e Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës thotë se deri te ushtrimi i kallëzimit penal kishte ardhur pasi kishte evidentuar parregullsi të mëdha në menaxhim nga drejtori i Përgjithshëm i KEDS-it, George Karagutof.

Mirëpo për këtë çështje Prokuroria Themelore e Prishtinës thotë se ende është në procedurë.

“Ju informoj se çështja për të cilën keni pyetur është në procedurë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka thënë për Insajderin, Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit.

Ajo më tej ka thënë se veprimet do të merren bazuar në provat e siguruara.

“Prokuroria do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore që ka dhe do të vendoset me kohë në pajtim me provat e siguruara nga prokuroria”, ka thënë Kozamqi.

Por sindikalistët patën ngritur kallëzim penal duke thënë se nuk është zbatuar Marrëveshja e Kolektive dhe Ligji i Punës.

Ndër vërejtjet që Federata kishte dhënë, ishte edhe hartimi i Kodit të Brendshëm Disiplinor, duke thënë se ishte miratuar pa praninë e asnjërit prej përfaqësuesve të Sindikatave.

“Ne si sindikatë këtë kod disiplinor e konsiderojmë si të jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës Nr. 2010/03-L212 dhe me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës”, thuhet në kallëzimin penal të Federatës së Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës kundër drejtorit të përgjithshëm të KEDS-it, George Karagutof.

Sipas Sindikatës, Ligji i Punës detyron çdo punëdhënës që aktin e brendshëm ta nxjerrë në harmoni me Ligjin e Punës dhe me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Po ashtu, Sindikata thotë se Kodi Disiplinor i KEDS-it ia jep të drejtën që pa ndonjë arsye t’ia shkëpusë kontratën punëmarrësit.

Për dispozitat e këtij Kodi, Sindikata thotë se janë në kundërshtim me Ligjin e Punës.

“Konsiderojmë se kjo dispozitë e këtij kodi është në kundërshtim të madh me nenin 70 të Ligjit Nr. 30/L-212 të Punës, sepse nuk mund t’i ndërpritet asnjë punëmarrësi kontrata e punës pa arsye”, thuhet në kallëzimin penal.

Një gjë tjetër që e ka evidentuar Federata Sindikale, është e drejta që KEDS-i jep vetes, sipas kodit disiplinor, që t’i fotografojë punëmarrësit edhe jashtë orarit të punës për ndonjë keqsjellje të supozuar.

Sindikata thotë se, mbi këtë të drejtë KEDS-i e kishte larguar nga puna Arbër Shkrelin.

Në Kodin Disiplinor të KEDS-it Federata thotë se nuk parashihet vërejtja me gojë, të cilën e parasheh Ligji i Punës.

“Kontestuese në Kodin Disiplinor të KEDS-it është edhe neni 10.19, sepse te shqiptimi i masave ndaj shkelësve të punëmarrësve të KEDS-it fare nuk përkufizohet vërejtja me gojë, siç është e paraparë me nenin 85 par. 1, nënpar. 1.1 të Ligjit Nr. 03/L-212 i Punës”, thuhet më tej aty.

Gjithashtu, Sindikata thotë se ka kërkuar nga KEDS-i që në harmoni me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, t’u njihet e drejta në shtesa për përvojën e punës prej 5 përqind punëmarrësve të KEDS dhe KESCO, siç edhe parashihet në nenin 48 të kësaj marrëveshje, duke shtuar se kjo nuk është zbatuar nga ana e KEDS-it.

Më tej Sindikata sqaron se menaxhmenti i KEDS-it ka lënë rreth 200 punëmarrës të pasistemuar, e nga ana tjetër merr punëtorë praktikantë të rinj.

Me këtë Sindikata konstaton se është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe me Marrëveshjen Kolektive.

Por këto veprime për KEDS-in janë të ligjshme.

Viktor Buzhala zëdhënës për media në KEDS ka thënë për Insajderin se kjo kompani i vepron sipas ligjeve të Kosovës.

“KEDS si kompani kosovare respekton, zbaton dhe vepron gjithnjë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe praktikave të njohura”, ka thënë Buzhala.

Ndërsa për punëmarrësin Arbër Shkrelin, Buzhala ka thënë se “njerëzit që thyejnë kodet e brendshme dhe detyrat e punës janë subjekt i masave disiplinore si në çdo kompani”.

Megjithatë, Federata e Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës, në bazë të këtyre të gjeturave, Federata e Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës, si përgjegjës kryesor për moszbatimin e ligjit të punës dhe akteve tjera, e konsideron drejtorin e Përgjithshëm të KEDS-it, George Karagutof.

“Sipas të sipërshënuarave shihet qartë se përgjegjës kryesor për shmangien e ligjit të zbatueshëm në KEDS dhe KESCO është drejtori i përgjithshëm Gregor Karagutof me çka ka kryer veprën penale ‘cëmin i të drejtave në marrëdhëniet e punës, nga neni 221 dhe cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 par.1 të KPRK-së”, thuhet në kallëzim penal.

“Prandaj e dëmtuara Federata e Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës duke e parë se këto vepra penale ndiqen sipas detyrës zyrtare, i propozon Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të fillojë zbatimin e hetimit ndaj drejtorit të përgjithshëm të KEDS-it Gregori Karagutof”, thuhet aty.

Federata kërkon që Kodi Disiplinor i KEDS-it të ndryshohet, duke e konsideruar atë si diskriminues./Insajderi.com