Dënohet ish-drejtori i KRU “Drini i Bardhë” që akuzohej për korrupsion

Dënohet ish-drejtori i KRU “Drini i Bardhë” që akuzohej për korrupsion

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht ish-drejtorin e  Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë”, në Pejë, Milazim Shatri, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy vjetësh, Shatri nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Sami Sharraxhiu, në seancën e së hënës, pasi i pandehuri Shatri, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Po ashtu, në bazë të aktgjykimit të shpallur, i akuzuari Shatri detyrohet të paguajë shpenzimet t procedurës penale në shumën prej 500 eurosh dhe paushallin gjyqësor prej 100 eurosh.

Në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, i pandehuri Shatri, në konsultim me avokatin e tij, Gëzim Kollqaku, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi.

Meqenëse, leximi i aktakuzës nga prokurorja e shtetit, Valbona Disha-Haxhosaj, është konsideruar si e lexuar, pasi që i pandehuri Shatri dhe mbrojtësi i tij, avokati Kollqaku, hoqën dorë nga e drejta e leximit të aktakuzës, i akuzuari Shatri, deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Kurse, në fjalën përfundimtare, prokurorja Disha-Haxhosaj, kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Shatri ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shatri, avokat Gëzim Kollqaku, në fjalën përfundimtare, kërkoi nga gjykata që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese dhe propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim me kusht.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Milazim Shatri, më 21 korrik 2014, në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Kompanisë Publike K.R.U “Drini i Bardhë”, SH.A-Pejë, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe atë për pronarin e kompanisë “Intering Construsctions” Sh.P.K, Lah Shoshi, me seli në Istog.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka bërë hapjen e tenderit të kanalit të ujitjes të ashtuquajtur “Betonimi i Kanalit të Ujitjes-Dobroshë Lubovë”, pa respektuar procedurat e prokurimit, e që rastet kur thuhet Kujdes-Kur përfitues është Komuna ose Kompania Publike e Ujitjes, atëherë procedurat e prokurimit i kryen Ministria e Bujqësisë, e që ne rastin konkret siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri pa respektuar procedurat e ka shpallur fitues përmes telefonit kompaninë e cekur si me lartë, duke përfituar shumën e tenderit prej 99.850.00 euro.

Më tutje, me dispozitivin e dytë të aktakuzës, Shatri akuzohet se gjatë periudhës kohore të vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar, në Kompaninë Publike K.R.U “Drini i Bardhë” Sh.a, në atë mënyrë që i pandehuri asetin e kompanisë të ashtuquajtur “Sillos i Betonit”, ia ka dhënë qytetarit Sami Çekaj, i cili, e ka shitur për hektar në vlerë prej 100 euro.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Milazim Shatri, akuzohet se më 16 dhjetor 2010, në Kompaninë Publike K.R.U “Drini i Bardhë” SH.A-Pejë, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit, hap llogari rrjedhëse në emër të kompanisë, pa autorizim nga bordi drejtues, ku në këtë xhirollogari është vërtetuar se ka qarkullim prej 1.281.816.32 euro, të cilat pasqyrime asnjëherë nuk janë paraqitur në pasqyrën financiare të kësaj kompanie, shkruan Betimi për Drejtësi.

Kurse, në dispozitivin e katërt të aktakuzës, i akuzuari Shatrri, gjatë periudhës së menaxhimit në Kompaninë Publike K.R.U “Drini i Bardhë” SH.A-Pejë, si drejtor ka lejuar të bëjë pagesën e zyrtarëve të bordit pagesa për kompensim të vitit 2011 sipas vendimit të bordit të datës 17 qershor 2011, në shumën prej 4.695.51 euro, edhe pasi që Kompania kishte krizë financiare të dukshme, ndërsa ndryshimi për kompensim të datës 23 shkurt 2012, shuma në total 16.772 euro nuk është arrtë të vërtetohet në pasqyrat financiare.