Dënohen dy gjilanasit që festuan me armë dhe videon e publikuan në “Instagram”

Dënohen dy gjilanasit që festuan me armë dhe videon e publikuan në “Instagram”

Tre muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, ka qenë dënimi që të martën ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjilan ndaj të akuzuarve për posedim dhe përdorim të armës, Valmir Bucolli dhe Premton Sylejmani.

Aktgjykimin e ka shpallur gjyqtari Naser Maliqi, raporton Betimi për Drejtësi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Afrim Shefkiu, dy të akuzuarit e pranuan fajësinë për akuzat që u viheshin në barrë.

Të akuzuarit, kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht se përdorimi i armës me gaz është i ndaluar. Ata deklaruan se asnjëherë nuk do të përsërisin një vepër të tillë.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Hamdi Jashari dhe Ilmi Ibrahimi, kërkuan nga gjykata dënim minimal, për arsyen se arma ka qenë me gaz dhe nuk ka mundur të shkaktojë rrezik të madh për të pranishmit.

Ndërkohë, arma me të cilën është kryer vepra është konfiskuar.

Ndryshe, Valmir Bucolli akuzohej për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm të kualifikuar si vepër penale ne bazë të KPRK-së.

Ngjarja kishte ndodhur më 14.08.2017 ku Bucolli në ahengun familjar për martesën e vëllait të tij kishte përdor armën, e cila i përkiste të akuzuarit Premton Sylejmani dhe me të cilën kishte shtënë në ajër. Këtë mënyrë të të festuarit ai e kishte publikuar në rrjetin social “Instagram” si videoincizim, veprim pas të cilit ka reaguar policia dhe është filluar procedura hetimore ndaj tij.