“Me dënimin e Mlladiqit u përmbush drejtësia që premtuam 25 vjet më parë”

22.11.2017 19:21
“Me dënimin e Mlladiqit u përmbush drejtësia që premtuam 25 vjet më parë”

Ish-sekretarja e Shtetit amerikan, Madeleine K. Albright ka komentuar dënimin e sotëm që i është dhënë “Kasapit të Ballkanit”, Ratko Mlladiqit nga Gjykata e Hagës, që e dënoi me burgim të përjetshëm.

Ajo ka thënë se dënimi i tij përmbush premtimin për drejtësi që kishin bërë 25 vjet më parë.

“Pas masakrimit të burrave, grave, dhe fëmijëve të pafuqishëm në Bosnje, Ratko Mlladiq iku dhe u fsheh për shumë vite. Tani, ai do të kalojë gjithë jetën e tij në burg. Zemra ime është me popullin e Bosnjës, veçanërisht me vejushat dhe nënat që shikuan vendimin. Përderisa të dashurit e tyre nuk do të ringjallen, drejtësia që premtuam 25 vjet më parë tani ka ardhur”, ka shkruar Albright në Facebook.

Ajo shpreson se ky vendim do të ndihmojë në procesin e pajtimit.

“Që nga sot e tutje, procesverbali është i qartë, dhe fakti se Ratko Mlladiq ka kryer krime lufte nuk mund të vihet në pikëpyetje. Shpresa ime është se ky verdikt do të ndihmojë në procesin e pajtimit, sepse pajtimi mund të vijë vetëm kur fajësia kolektive shlyhet dhe është caktuar fajësia individuale. Nëse ata që kanë kryer këto krime sillen para drejtësisë, mëkatet e një brezi ka më pak gjasë që të mbahen kundër gjeneratës së ardhshme, dhe cikli i mizorive përfundimisht mund të prishet”, ka thënë ajo.