“Dëmshpërblimin ndaj austriakëve ta paguajnë Skënder Hyseni e Bajram Rexhepi”

Dëmshpërblimin prej rreth pesë milion eurove që Kosova duhet t’ia paguajë një shtypshkronje austriake të cilës ia kishe shkëputur para afatit kontratën, duhet ta paguajnë “milionerët Skënder Hyseni e Bajram Rexhepi.”

Kështu ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se vendimi për dënimin e Kosovës është nje goditje për xhepin e qytetarëve të vendit.

“Kjo është edhe një dënim që qeveritarët e padijshëm po i bëjnë qytetarëve të Kosovës. Skandali i pasaportave i nisur në Qeverinë e kaluar po jep dëme edhe në Qeverinë e sotme. Këto para le t’i paguajnë milionerët Skënder Hyseni e Bajram Rexhepi dhe po ashtu milionerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të punësuar aty pa kurrfarë kriteri profesional, por në baza krejtësisht klanore dhe partiake”, ka thënë ai.

“Pse t’i paguajnë qytetarët? Kosova nuk duhet të paguajë më nga kjo strukturë skandaloze qeveritare”, ka shtuar Haradinaj.

Shteti i Kosovës do të detyrohet të paguaj miliona euro dëmshpërblim shtypshkronjës austriake e cila ishte kontraktuar për prodhimin e pasaportave biometrike.

Një gjykatë ndërkombëtare, Oda Ndërkombëtare Ekonomike me seli në Paris, ka vendosur që shteti i Kosovës duhet të paguaj 4.9 milion euro kompensim shtypshkronjës AG Staatsdruckerei, për ndërprerje të parakohshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike si dhe për disa pagesa të pakryera./Insajderi.com