Demontimi i plotë i kryetarit serb

Demontimi i plotë i kryetarit serb

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë mandatit të tij njëvjeçar në vetëm 9 për qind të deklaratave ka folur të vërtetën dhe shumë herë i ka tejkaluar autorizimet e veta, ka publikuar të enjten portali serb “Istinomer” (Matësi i të vërtetës).

Më tepër se 90 për qind të deklaratave të Vuçiqit në vitin e parë të mandatit të tij ishin të pavërteta, ka treguar analiza.

“Prej gjithsej 33 deklaratave vetëm 9 për qind dolën se janë të vërteta”, pretendon portali Istinomer dhe shton se në atë periudhë Vuçiq ka plotësuar vetëm një prej gjashtë premtimeve.

Vitin e parë të mandatit të kryetarit e ka shënuar një numër i madh i tejkalimeve të autorizimeve, prej zgjedhjes së kryeministres Ana Brnabiq deri te vendosja e masave të politikës populliste, pretendohet në analizë të Istinomerit.

Portali në mes tjerash e ilustron vërtetësinë e deklaratave të Vuçiqit në rastin e autostradave, transmeton Insajderi.com.

“U tregua se premtimi i Aleksandar Vuçiqit se si Serbia deri në vitin 2017 do të ketë më shumë kilometra se Kroacia nuk u realizua. Doli që asaj i mungojnë më tepër se 550 kilometra të barazohet me Kroacinë, me kusht që Kroacia të mos ndërtojë më rrugë”, pretendon Istinomer.

Shefi i shtetit serb ka pretenduar se rritja e ekonomisë serbe është më e lartë se mesatarja evropiane, dhe doli që në atë moment Serbia kishte rritje dyfish më të vogël se mesatarja e vendeve të BE.

Gjithashtu, Vuçiq ka pretenduar se Serbia në vitin 2016 ka pasur rritje më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, edhe pse, sipas analizës paralele të portalit, shkallë më të madhe të rritjes ekonomike se Serbia kishin Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.

“Duke folur për zvogëlimin e borxhit publik, Aleksandar Vuçiq shumë herë ka deklaruar vitin e kaluar se në prill të vitit 2014, kur ai u bë kryeministër, borxhi publik ishte rreth 77 për qind të GDP’së. Në të vërtetë në atë kohë borxhi publik ishte 62,5 për qind, për të shkuar deri në fund të vitit, pas marrjes së pushtetit nga ana e tij, në 70 për qind të GDP’së, shkruan portali.

Istinomer është portal i cili merret me kontrollin e fakteve nëpër vlerësime të deklaratave të zyrtarëve publik dhe politikanëve dhe nëpër analiza të çështjeve të rëndësishme shoqërore dhe ekonomike. Deklaratat vlerësohen nëpërmes të tre kritereve – e vërteta, konsistenca dhe plotësimi i premtimit./Insajderi.com.