Demolli: Lista Serbe refuzoi mbi 18 ftesa për takime

Demolli: Lista Serbe refuzoi mbi 18 ftesa për takime

Lista Serbe i ka refuzuar diku 18 kërkesa për takime me kabinetin e ministrit të FSK-së, ka bërë të ditur vetë ministri, Haki Demolli.

Sipas tij, nga muaji prill deri në korrik të vitit 2016, kjo Ministri i ka bërë kërkesa të vazhdueshme për takime. Mirëpo, Lista Serbe, me arsye të ndryshme, nuk ka qenë e gatshme për këto takime.

“Nga muaji prill deri në korrikun e vitit 2016, nga kabineti im ne ua kemi dorëzuar diku 18 ftesa, qoftë me e-mail, qoftë me shkresa edhe në forma të ndryshme”, ka thënë ministri Demolli për telegrafin.

“Ftesën ua kemi bërë ministrave ashtu edhe deputetëve të Listës Serbe për takim me të cilën do të bisedonim rreth mundësisë së dakordimit për votën e tyre për mandate kushtetuese”, ka shtuar ai.

“Asnjëherë nuk kemi pas përgjigje pozitive në këto kërkesa. Ka pas arsyetime të ndryshme që nuk kanë kohë për takim”, ka thënë ministri i MFSK-së, Haki Demolli.

Ndërkohë, zyrtarë të Listës Serbe vazhdimisht kanë thënë se askush nga Qeveria nuk i ka kontaktuar ata për të diskutuar rreth çështjes së ushtrisë.