Demokratizimi Online

Përfitimet e këtij demokratizimi krahasuar me humbjet janë pazar që ia vlen (edhe po të ishte kjo zgjedhje në dorën e mediave). Shikuar nga perspektiva e medieve, rritja e shpërndarjes së internetit ka pasur ndikim të madh në demokratizimin e Kosovës.

Demokratizimi Online

Një numër njerëzish në Kosovë nuk e kanë pasur të lehtë qasjen në mediet tradicionale, ndër të tjera, për shkak të infrastrukturës së dobët të qarkullimit të gazetave dhe mosmarrëveshjeve lidhur me frekuencat e transmetimit. Madje edhe çmimet e komunikimit përmes telefonisë mobile qenë ngritur tejet lart një kohë pasluftës. Prandaj ardhja e internetit ishte e mirëseardhur në kohën kur Kosova vlerësohej me shkallën më të lartë të varfërisë në Ballkan dhe kur qasja në informacion dhe në media ishte e vështirë. Kosova shumë shpejt u bë dhe vazhdon të jetë vendi me penetrimin më të madh të internetit në rajon, përkatësisht me 74 për qind penetrim bazuar në të dhënat e vitit 2014. Sot, ashtu si në shumë vende, mediet online janë burimi më i rëndësishëm i informacionit.

Interneti ka ndryshuar në mënyrë përmbajtjesore raportimin mediatik, numrin e medieve dhe fuqinë e tyre.

Mediet tradicionale përfituan nga përmirësimi i komunikimit me audiencën. Jo vetëm që shumë më shumë njerëz u angazhuan nga distanca të ndryshme, por ata edhe kontribuonin me informacion përmes letrave dhe komenteve. Rrjedhimisht, mundësitë dhe zgjedhjet e redaktorëve u rritën. Ky komunikim ndihmoi reporterët të kuptojnë shpejt se cilët tituj të lajmeve, cilat tema dhe struktura të storjeve merrnin reagim më të mirë nga publiku. Po ashtu, mediet ulën shpenzimet e tyre teknike.

Shumë informacion qeveritar u bë publik, duke u mundësuar kështu medieve dhe organizatave të shoqërisë civile të përcjellin dhe kontrollojnë në mënyrë më efektive paranë publike dhe abuzimin me të. U rrit edhe numri i rrjedhjeve të informacioneve (siç është rasti me materiale nga EULEX-i dhe informata lidhur me keqpërdorime të zyrtarëve qeveritarë). Kosova është një vend i dërrmuar nga korrupsioni, por situata do të ishte edhe më e rëndë nëse nuk do të ekzistonin mediet e reja.

Interneti sfidoi gjysmë-monopolin ekzistues të transmetimit duke hapur rrugë për televizionet kabllore dhe duke e bërë televizionin më garues.  Dhe, nuk nevojitej dmosdoshmërisht një biznesmen i pasur – Kosova kishte mesatarisht gjashtë gazeta në dekadën e parë pas luftës – për të krijuar një medium.  Media u bë më e lirë.  Për pasojë, pluraliteti i zërave që iu bashkuan skenës publike e zvogëloi në mënyrë të dukshme manipulimin e kontrollin prej fuqive shtypëse.

Pluralizmi doli si një nga përfitimet më esenciale për sferën publike.

Edhe fuqia e medieve u rrit sepse tashmë kishin aftësi më të mira dhe audiencë të paprecedentë ngase informacioni ishte falas.  Të gjitha këto arritje – përmbajtja më e pasur mediatike, teknika të përmirësuara, pluralizëm zërash dhe numër i madh i audiencës – janë padyshim indikatorë të demokratizimit. Dhe për mendimin tim, përfitimet e këtij demokratizimi krahasuar me humbjet janë pazar që ja vlen të bëhet (edhe po të ishte kjo zgjedhje në dorën e mediave).

Sepse edhe humbje ka pasur. Rritja e numrit të shpifjeve, transparenca më e vogël e pronësisë së medieve dhe e të ardhurave krahasuar me disa media ‘mainstream’, por edhe shpejtësia e informacionit janë sfida serioze.  Mbështetja në rritje në marketing po ashtu ka pasoja indirekte; duhet vetëm shikuar mbulimin që mediet u bëjnë liderëve që kanë ardhur së fundi në pushtet – si për shembull Kryetari i ri i Kuvendit – për të kuptuar çfarë në fakt kjo nënkupton. Pra, liderë të fuqishëm do të gjejnë publicitet të mirë dhe kritikë të dobët.

Por, epoka e liderëve, politikanëve dhe biznesmenëve të plotfuqishëm ka përfunduar. Hyrja në treg e mediumeve si Kosovo 2.0, gazetafjala.com, sbunker.net dhe Insajderi.com – këto tri të fundit janë platforma direkt online dhe janë krijuar në vitin 2015 dhe 2016 – është argument i forcimit të fushës mediale. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka ndarë një çmim në dy vitet e fundit për gazetari hulumtuese,  ku gjysma e storieve kanë qenë të publikuara në mediet online. Krijimi i këtyre medieve të reja dhe qindra hulumtimeve të publikuara për çdo vit është lajm pozitiv dhe inkurajues për lirinë e të shprehurit dhe në përgjithësi lirinë e Kosovës.

Megjithatë, ka zhvillime të brendshme dhe të jashtme të mediave që mund ta përmirësojnë demokracinë në media dhe në Kosovë, në përgjithësi. Një nga to është vazhdimi i përmirësimit të mënyrës së reagimit ndaj ankesave dhe rasteve tjera etike brenda mediave dhe organeve vetë-rregulluese paralel me promovimin e praktikave të kualitetit të lartë të gazetarisë. Kjo ndikon që anëtarët e publikut të kenë ndjenjë më të lartë sigurie si dhe shërben si incentivë për raportim ambicioz.

Donatorët e huaj mund të ndihmojnë gjithashtu, duke thjeshtësuar procedurat e granteve si dhe duke përmirësuar shpërndarjen e përfitimeve. Mediat e vogla duhet të mbështeten të fokusohen në raportim sa më të saktë, e jo në krijim të resurseve të specializuara për aplikim në grante.

Dhe më e rëndësishmja, mediet kosovare mund të ndihmojnë vetën duke vendosur standarde në biznes dhe në raportim. Pronësia e mediumeve, stafi redaktues, autorët e artikujve, korrigjimet por edhe të hyrat vjetore duhet të bëhen publike në ato raste ku nuk janë.  Mediet duhet domosdo të punojnë më shumë që të bëjnë vetën e tyre më tërheqëse për gazetarët, duke respektuar punën e tyre, talentin dhe pikëpamjet e tyre.  Dhe, kur të gjithë presin nga mediet që të monitorojnë të tjerët, është esenciale që edhe mediet të fillojnë të vendosin standard të mirë që nga zyrat e veta.

Përkthim i Insajderit. Artikulli fillimisht është kontribuar në SouthEastEuropean MediaObservatory.  http://mediaobservatory.net/radar/democratization-online