Gazeta online Insajderi" />

Demi: Përgjimet që shfaqin “cullak” politikanët kosovarë

Demi: Përgjimet që shfaqin “cullak” politikanët kosovarë

Agron Demi nga Instituti GAP i ka paraqitur 12 mënyrat se si përgjimet, të cilat i ka siguruar Gazeta online Insajderi, i  shfaqin, siç thotë ai, “cullak” politikanët kosovarë.

Ai ka thënë se “Adem Grabovci me shokë e konsiderojnë politikën si ‘art i të mundshmes’: vjedh e shkatërro pasurinë publike sa të mundesh”, duke shtuar se “Grabovci me shokë nuk kanë fije morali”. Andaj, sipas Demit, “është e kotë me pritë prej tyre që t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të dorëhiqen”, duke shtuar se “nuk mundesh me u thirr në diçka që nuk e ke”.

Agron Demi shkon edhe më tej në vlerësime, duke thënë se “Grabovci me shokë kanë gjuhë huliganësh, të sharat dhe nivelin e ulët të komunikimit që e dëgjojmë në përgjime paraqesin karakterin e tyre të përditshëm”.

“Duhet të jetë jashtëzakonisht e mundimshme për ta kur në adresimet zyrtare duhet të ndërrojnë gjuhën dhe të tregohen më ‘civil’”, thotë Demi.

Sipas tij, “në Kosovë nuk ekziston asnjë institucion publik i pavarur nga partia. Përderisa formalisht në ligje parashihen institucione të pavarura, në praktikë kjo ndarje nuk ekziston, dhe thotë se “Ligjet e Grabovcit” janë si “Ligjet e Maliqit”: varësisht në dorën e kujt janë, dikë e lëmojnë e dikë e kafshojnë.

“Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem “të logjikës së mbrapshtë Orwelliane”: ku e keqja është e mirë, shkelja e ligjit është patriotizëm, vjedhja e pasurisë shtetërore është zotësi…”, shton Demi.

“Grabovci me shokë të interesit (dyshoj se dikush do kishte zgjedh me ba Grabovcin shok veç për qef), vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit: ata kanë nevojë të vazhdueshme për me jau lëmu egon, më ju than ‘shef’, ‘faleminderit’, ‘ti je ma i madhi në vend’…Përndryshe ata hakmerren”, vlerëson ai.

“Grabovci me shokë kanë IQ idiote, ata janë në shkallë të hershme të zhvillimit. Pozita shtetërore ua mundëson me i hjek të gjitha qefet që i kanë pasë që nga puberteti”, thotë ai.

“Grabovci me shokë kanë kriju një shtet ku nuk ekziston ndarja dhe balanci i pushteteve. Në fakt, në shtetin e Grabovcit me shokë pushteti ekziston jashtë institucioneve. Parlamenti i ngjan një “kulle” e cila shërben veç për simbolikë”, vazhdon tutje vlerësimin Demi.

Ai ka thënë se “Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem të rrezikshëm, në dorë të tyre është policia e gjyqësia: dy pushtete të cilat në dorë të Grabovcëve shkatërrojnë shtet e jetë qytetarësh”. Për Grabovcët, Demi thotë se “do të jetë dukur e çuditshme kur një polic i ka ndalë në rrugë: qysh ndodhë që policia e “Babës” me na ndalë neve?”

“Grabovci me shokë kanë krijuar një sistem i cili nuk mund të luftohet në rrugë institucionale. Për ata protestat qytetare janë e vetmja rrugë për me ua largu institucionet nga dora”, shkruan Demi në llogarinë e tij në facebook.

“Grabovci me shokë nuk lënë hapësirë për punësimin e grave në sektorin publik. Por ama gratë e tyre (që gjithqysh duhet me qëndru në shpi) kanë mundësi me punësu ndokënd në institucione. Amanetet e tyre qohen në vend nga sekserët e Grabovcit”, vazhdon postimi i tij.

“Grabovci me shokë janë vetëm fija e një lëmshi të madh. Po të kishim përgjimet e “Bashotëve me shokë”, “Lushtakëve me shokë”, “Thaçëve me shokë”, “Hamitëve me shokë”…do të ishin më të zeza se sa këto që po i dëgjojmë”, përfundon postimin e tij drejtori i Institutit GAP, Agron Demi./Insajderi.com

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]