Demhasaj: Të korruptuarit s’e luftojnë korrupsionin

Demhasaj: Të korruptuarit s’e luftojnë korrupsionin

Mesazhet e ndërkombëtarëve për luftimin e korrupsionit po i drejtohen pikërisht atyre që e kanë sjellë korrupsionin dhe krimin e organizuar deri në këtë masë dhe këtu është problemi kryesor pse nuk ka sukses në luftimin e këtij fenomeni negativ.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zëri” Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv i Organizatës “Çohu”, duke shtuar se po ta luftonin këta politikanë korrupsionin i bie që duhet ta luftojnë vetveten.

Ai ka shtuar se në përgjimet e fundit që po publikohen në medie ka elemente të veprës penale.

Zëri: Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së fundit në Kosovë kërkoi nga drejtuesit e institucioneve ta luftojnë korrupsionin. Si mund të luftohet kjo dukuri negative, kur shkalla e lartë e korrupsionit është arritur gjatë mandatit të këtyre liderëve?

“Presidenti Thaçi, në dy mandatet e tij si kryeministër dhe një gjysmë mandati si zëvendëskryeministër, është fajtori kryesor pse e kemi një nivel të tillë korrupsioni. Mjafton ta krahasojmë prej vitit 2008 kur PDK-ja ka ardhur në pushtet deri më tani dhe e shohim se sa është rritur korrupsioni dhe krimi i organizuar, edhe pse ai mund të mos jetë fajtor personalisht, por gjatë qeverisjes së tij kjo ka ndodhur”, ka thënë Demhasaj.