Dembélé mund të transferohet falas te Barcelona

Dembélé mund të transferohet falas te Barcelona

Borussia Dortmund ndoshta po luan me zjarrin. Edhe pse ende asgjë nuk është konfirmuar, një lajm i sotëm nga prestigjiozja “Zeit” ka befasuar tifozët verdhezinj dhe sidomos ata të Barcelonës.

Bëhet fjalë për mesfushorin Ousmane Dembélé, i cili mund të kërkojë prishjen e kontratës dhe të bëhet katalanas praktikisht falas.

Avokati Markus Schütz, i cili përfaqëson personin e quajtur Martial Kodja, ish-trajner i 20-vjeçarit dhe agjent i tij, ka zbuluar se Borussia Dortmund ka konsideruar Moussa Sissoko-në si agjent të ligjshëm të lojtarit, por ky i fundit më shumë ka mbrojtur interesin e klubit se të francezit.

Kjo është arsyeja pse ofertat nga Bayern München apo Barcelona në verën e kaluar janë injoruar krejtësisht.

Pra, verdhezinjtë nuk e kanë pranuar Kodja-n si përfaqësues të lojtarit, ndërkohë që Sissoko është paraqitur vetëm në ditën e transferimit dhe jo gjatë negociatave. Detaji që shton edhe më shumë dyshimet është fakti se Dembélé nuk e ka ditur se çfarë ka firmosur në kontratën e tij me BVB-në, ngaqë çdo fjalë në të ka qenë në gjermanisht dhe jo në frengjisht, siç ndodh zakonisht.

Por nuk përfundon me kaq. Dembélé aktualisht e ka pagën 2 milionë euro në vit, por marrëveshja ka qenë që ai të përfitojë edhe 10 milionë të tjera brenda pesë viteve të kontratës, pra 2 milionë në vit, si shpërblim për transferimin.

Paga 4 milionë euro në vit do të ishte normale për një lojtar të madh si ai. Borussia Dortmund, ndërkohë, nuk i garanton rritje page me kalimin e sezoneve dhe as nuk e lejon të ketë klauzolë largimi.

Deri tani, verdhezinjtë kanë refuzuar rreth 100 milionë euro nga Barcelona, duke kërkuar 50 milionë më shumë. Dembélé refuzon të stërvitet dhe është i pezulluar nga klubi, por ndoshta ai të gjitha këto argumente do t’i përdorë si “ultimatum” për lirimin e tij në çfarëdolloj forme, madje edhe me parametra zero, që do të kthehej në një tragjedi.

Barcelona ka edhe një javë kohë për të vepruar, ashtu si edhe përfaqësuesit e Dembélé-së. A do të dorëzohen në Dortmund? Kush do ta fitojë këtë betejë?