Demarkacioni – praktikat tregojnë për kompromise në çastet e fundit për interesa personale

Demarkacioni – praktikat tregojnë për kompromise në çastet e fundit për interesa personale

Në kohën kur Marrëveshjes së Demarkacionit po i afrohet çasti për ta votuar, koalicioni qeverisës ende nuk i ka të sigurta votat. Deri më tani është thënë se mungon vetëm një votë për ta rrumbullakuar këtë proces.

Por pasiguria është shumë evidente brenda koalicionit, të cilët e kanë thirrur seancën për Demarkacionin pa thënë përfundimisht nëse janë siguruar votat.

Në këtë drejtim, praktikat kanë treguar se për çështje të mëdha, janë bërë kompromise mes pushtetit dhe deputetëve të caktuar për interesa personale dhe biznesore.

Isuf Zejna nga Demokraci Plus, ka thënë për Insajderin se në Kuvend tash e një kohë janë instaluar praktika të ndryshme sa u përket koncesioneve për çështje të caktuara.

“Në Kuvendin e Kosovës ka gjithfarë praktikash sa i përket dhënies së votës në këmbim me interesa personale apo biznesore”, ka thënë Zejna.

Megjithatë, ai shpreson që të mos ndodh e njëjta që sikurse në rastin e votimit të Presidentit dhe Qeverisë.

“Shpresoj që kësaj here të mos ndodh e njëjta sikurse kishim rastin e votimit të Presidentit, Qeverisë apo të tjera raste të ngjashme”, ka shtuar më tej ai.

Sipas tij, marrëveshje të tilla mes pushtetit dhe deputetëve të caktuar e dëmtojnë besimin në institucionin e Kuvendit.

“Praktikat e tilla e dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionin e Kuvendit. Më mirë do të ishte të mos aprovohej farë marrëveshja e demarkacionit sesa ajo të bëhet objekt i shkëmbimit të marrëveshjeve të jashtëligjshme”, ka vlerësuar tutje Zejna.

Zejna thotë se, edhe nëse do të ketë kompromise të tilla, të paktën ato të jenë transparente dhe t’i gjykojë publiku.

“Nuk dua të paragjykoj se për çka dhe si do të merren vesh deputetët e Kuvendit, mirëpo pres që çdo marrëveshje të jetë transparente dhe publiku të mund ta gjykojë përmbajtjen”, ka deklaruar për Insajderin Isuf Zejna nga Demokraci Plus.

Për më tepër, Marrëveshja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi pritet që të votohet sot, pasi Kuvendi i Kosovës e ka caktuar seancën pikërisht për këtë rast.

Kjo marrëveshje disa herë kishte shkuar në Kuvend por nuk ishte hedhë në votim, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për ta përfunduar këtë proces./Insajderi.com