Demarkacioni mund t’ia shtojë Kosovës edhe “një yll në flamur”

Nëse Mali i Zi pranon ta rishikojë marrëveshjen për demarkacion me Kosovës atëherë Kosova do të detyrohet që përfundimisht malazezët t'i bëjë pakicë kombëtare në Kosovë. Kjo nënkupton një vend të rezervuar në Kuvend dhe shumë të drejta të tjera. Ndoshta dhe një yll të ri në flamur.

Demarkacioni mund t’ia shtojë Kosovës edhe “një yll në flamur”

Kufiri i pazgjidhur mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte bërë arsyeja kryesore e vizitës së parë së presidentit të Malit të Zi, në Kosovë.

Dilemat në Kosovë për humbje territori me marrëveshjen e dy vendeve, presidenti malazez Filip Vujanoviq, kishte pretenduar se do t’i largonte. Ai së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kishin nënshkruar një marrëveshje ku parashikohej rishikimi i pikës kufitare në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

“Palët pajtohen se gjatë këtij procesi trupi i përbashkët punues do të identifikojë dhe do të adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit sipas kësaj aneks marrëveshje. Trupi i përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Qakorrit dhe kullës së Zhlebit”, thuhej në pikën e fundit të marrëveshjes së arritur mes dy presidentëve.

Por pavarësisht arritjes së kësaj marrëveshje, ratifikimi i demarkacionit mes dy vendeve po është i pamundur, për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte zotuar në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq se komuniteti malazez në Kosovë së shpejti do ta gëzojë të drejtën si kategori kushtetuese.

“Mundem vetëm me e konfirmuar atë që e tha kryeministri, miku im Dushko, ne vetëm i kemi bë disa veprime ndaj kërkesës së bashkësisë malazeze që jeton në Kosovë, janë disa kërkesa që i kemi përmbushë vitin e kaluar, disa kërkesa buxhetore, njëkohësisht jemi në zbatim të një plani aksionar që buron nga strategjia që e ka aprovuar Qeveria e Kosovës dhe rezultatet do t’i komunikojmë me kohë”.

“Mund të them se në Kosovë ka një unitet që të respektohet pozita edhe kërkesa e bashkësisë malazeze në Kosovë ka qenë një gatishmëri e Kosovës për një pozicion kushtetues ndaj këtyre të drejtave. Nuk është se vonesat janë kundërshtim të këtij pozicioni, më shumë ka qenë se nevojiten dy të tretet dhe ndryshim të nenit kushtetues, por ka zhvillime edhe në këtë drejtim dhe jam i bindur që do të vije kjo ditë”, kishte thënë Haradinaj gjatë konferencës së përbashkët me Markoviqin.

Një premtim të tillë, Haradinaj nuk e kishte bërë vetëm para kryeministrit malazez, ai u kishte premtuar kategori kushtetuese edhe kryetarit të komunitetit malazez në Kosovë. Slobodan Vujiçiq, kryetar i këtij komuniteti në Kosovë, ka thënë për Insajderin se ky komunitet është më i rrezikuari në Kosovë.

“Kryeministri Markoviq ka insistuar të miratohet edhe Plani i Veprimit në mënyrë që malaziasit kosovar të munden deri diku të fillojnë gradualisht  të barazohen me komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Derisa atëherë, duke marrë parasysh se nuk jemi kategori kushtetuese ne jemi komuniteti më i rrezikuar të cilit, nëse nuk ndryshojnë gjërat në mënyrë drastike, i kërcënon zhdukja e plotë dhe asimilimi”.

“Mirëpo, nëse së shpejti nuk miratohet në Qeveri Plani i Aksionit dhe buxheti dhe nëse nuk fillohet sinqerisht me implementimin e plotë të Strategjisë për Afirmim dhe Integrim të komunitetit malazias, në atë rast ka shpresa për ne dhe është e mundur mbijetesa si komunitet më autokton dhe më i vjetër në këto hapësira. Ne duam të besojmë se Qeveria e Kosovës do të arrijë ta finalizojë marrëveshjen dhe premtimin dhënë kryeministrit Markoviq dhe neve”, ka thënë Vujiçiq.

A do të ketë yll për komunitetin malazez në flamurin e Kosovës?

Pavarësisht se gjashtë komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe që posedojnë të drejtën si kategori kushtetuese posedojnë simbolin e vet në flamurin e Kosovës, komuniteti malazez shpreh tjera interesa karshi interesit të kategorizimit si komunitet me të drejtë kushtetuese.

Vujiçiq thotë se me kategorizimin si komunitet me të drejtë kushtetuese do t’i mundësonte këtij komunitetit të përfitojnë punësim me përqindje në Qeverinë e Kosovës, në nivel qendror dhe atë lokal. Pastaj pikë tjetër që ky komunitet do të përfitonte do të ishte mundësia për kthimin e malazezëve të zhvendosur të cilët sipas tij, janë më shumë se 15 mijë persona.

“Me Strategji, më saktësisht me Planin e Veprimit dhe me buxhet të cilët presim të miratohen ne do të përfitonim punësim me përqindje në Qeverinë e Kosovës, pra në nivelin qendror dhe lokal. Do të fitonim punësim me përqindje edhe nëpër ndërmarrje publike. Momentalisht i kemi vetëm disa institucione të cilët eventualisht e kanë nga një malazias të punësuar derisa një numër shumë i madh i tyre nuk ka asnjë të punësuar”.

“Kështu as nëpër ministri, as në ndërmarrjet publike, as në zyrën e kryeministrit, as në zyrën e presidentit e as në zyrën e kryetarit të Kuvendit. Pastaj, do të kishim mundësinë e kthimit të malaziasve të zhvendosur të cilët janë më tepër se 15.000 persona, sa në Malin e Zi e sa në Serbi”, ka thënë Vujiçiq për Insajderin.

Por megjithatë Vujiçiq, e konsideron si të panevojshme ndryshimin e flamurit, por sipas tij është e nevojshme të kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

“Sa i përket yllit në flamur, mendojmë se është e panevojshme të ndryshohet flamuri, por është e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta dhe malaziasit duhet të jenë kategori kushtetuese me vendin e vet të rezervuar në Kuvendin e Kosovës siç i kanë të gjitha komunitetet tjera. Malaziasit kanë qenë të njohur me Kushtetutën e vitit 1974 dhe ishin një prej tre popujve konstitutiv në Kosovë krah shqiptarëve dhe serbëve”, ka thënë Vujiçiq.

Në flamurin e shtetërorë është e vendosur harta e Kosovës si dhe gjashtë yje. Yjet zyrtarisht nënkuptojnë gjashtë grupimet që kanë të drejtë kushtetuese në Kosovës. Shqiptarët, serbët, turqit, goranët, romët dhe boshnjakët, janë komunitetet që simbolizohen me yjet në flamurin e Kosovës.

Në anën tjetër marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e pikës kufitare mes dy vendeve, në Vjenë më 26 gusht të vitit 2015 ishte kundërshtuar ashpër nga opozita e qeverisë së kaluar. Në krye të këtij kundërshtime kishte qenë kryeministri i sotëm, Ramush Haradinaj, me arsyetimin se Kosova po humbë 8200 hektarë tokë.

Aktualisht, pakicat e njohura me Kushtetutë në Kosovë janë komuniteti serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian dhe ai goran.

Të gjitha këto komunitete, kanë të garantuar përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera në të dyja nivelet.

Në rast të përfshirjes edhe të kroatëve dhe malazezëve në Kushtetutë, mozaiku i komuniteteve të Republikës së Kosovës do të shtohej, dhe rrjedhimisht do të nevojitej garantimi i përfaqësimit të tyre në institucione, gjithashtu.

Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 1981, ka pasur 28 mijë e 27 malazias etnik në Kosovë. Por, sipas Vujiçiqit, pak kohë para luftës, gjatë dhe pas luftës, numri më i madh i malaziasve ka ikur në Malin e Zi, në Serbi dhe në ndonjë vend të tretë. Sa malazez jetojnë tash në Kosovë, nuk ka të dhëna zyrtare por duket se zyrtarisht do bëhën pakicë kombëtare./Insajderi.com