Demarkacioni mund ta lëkundë koalicionin qeverisës

12.11.2017 12:12
Demarkacioni mund ta lëkundë koalicionin qeverisës

Përplasja e madhe mes dy partive kryesore në koalicionin qeverisës, PDK dhe AAK, pritet të ndodhë atëherë kur në Kuvendin e Kosovës të dërgohet raporti i komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Sinjalet për thyerje të heshtave mes anëtarëve të dy këtyre partive, ka ditë që janë ndezur.

Ndonëse me Kushtetutë është apartiak, kreu i shtetit Hashim Thaçi ende e ka kontrollin mbi një pjesë të deputetëve të PDK-së, partisë të cilën e ka udhëhequr që nga themelimi e deri para dy vjetësh, kur është ngjitur në fronin më të lartë të shtetit.

Jo zyrtarisht, zyrtarë të lartë të PDK-së kanë thënë për AktivPress se nuk mund t’ia kthejnë shpinën ish-liderit në një proces që është nisur prej tij në kohën kur ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.

“PDK, për dy arsye nuk mund ta mbështes kurrfarë raporti tjetër për kufirin pos atij të komisionit të udhëhequr nga Murat Meha: e para, sepse përgjatë një mandati qeverisës e kemi mbrojtur atë version, dhe e dyta, për shkak se versioni i Mehës mbrohet jo vetëm nga ish lideri i partisë por edhe nga aleatët e jashtëm të Kosovës”, ka thënë një zyrtar i lartë i kësaj partie.

Pavarësisht qëndrimeve në PDK, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paraqitur opsione të tjera për gjetur zgjidhje për definimin e kufirit.

Haradinaj e ka lënë të hapur mundësinë që kjo marrëveshja për demarkacionin të dërgohet në arbitrazh, për ç’gjë nuk pajtohet presidenti Thaçi.

Ky i fundit e ka kontestuar punën e Komisionit të ri qeveritar në krye me Shpejtim Bulliqin, duke i cilësuar deklaratat e tyre si “zhurmë koti”.

Lidhur me kundërthëniet e presidentit dhe kryeministrit, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Imer Mushkolaj është shprehur për AktivPress se procesi i Demarkacionit, megjithatë nuk do të varet nga presidenti.

Përkundër qëndrimit të ish-liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, ky subjekt do të duhet të përshtatet me situatën që do të krijohet në Kuvend, konsideron Mushkolaj.

“Pavarësisht qëndrimit të presidentit, demarkacioni është një proces që nuk varet më nga ai, kështu që PDK do të përshtatet me çfarëdo që mund të konsiderohet zgjidhje e problemit”, thotë ai.

Analisti politik shfaqet pesimist se Marrëveshja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, mund të kalojë kësaj radhe, por mënjanon opsionin e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk besoj se mund të ketë zgjedhje të parakohshme për shkak të përplasjeve PDK-AAK, ngase tash për tash nuk është në interesin e asnjërës palë. Demarkacioni do të rrëzohet në Kuvend dhe procesi do të nis nga fillimi”, theksoi Mushkolaj.

Demarkacioni është kriteri kryesor i vendosur nga Bashkimi Evropian që Kosova të sigurojë për qytetarët e saj liberalizimin e vizave.

Por ky kriter është shndërruar në “bombë të kurdisur” për koalicionin qeverisës./AktivPress/