Delegatët e 2 Korrikut, hallkë e rëndësishme në lëvizjen tonë për liri dhe pavarësi

Delegatët e 2 Korrikut, hallkë e rëndësishme në lëvizjen tonë për liri dhe pavarësi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim një grup përfaqësuesish të delegatëve të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, të kryesuar nga Iliaz Ramajli.

Përfaqësuesit e delegatëve të 2 Korrikut falënderuan kryeparlamentarin Veseli për përkushtimin e tij të vazhdueshëm, deri në konkretizim të vendimit për të mbështetur financiarisht ish-kuvendarët e viteve të ’90-ta.

Iliaz Ramajli tha se që nga viti 2012 është provuar të gjendet një mënyrë për  mbështetje financiare të ish-delegatëve, por, sipas tij, kjo nuk ishte arritur të bëhej deri tani.

“Gjendja sociale e një numri të madh të delegatëve nuk është e mirë. Kjo përkrahje materiale, një numri të madh të delegatëve do t’ia përmirësojë gjendjen materiale, por është dhe një satisfaksion moral për punën që kemi bërë. Falënderojmë kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen e tij të vazhdueshme”, theksoi Ramajli.

Ai bëri të ditur se nga 111 delegatë të 1990-s, 34 nga ta kanë vdekur, ndërsa 77 janë ende gjallë, prej të cilëve 65 janë mbi moshën 60-vjeçare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke falënderuar delegatët e 2 Korrikut për kontributin e tyre, i konsideroi ata hallkë e rëndësishme në lëvizjen tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës, të cilët më 2 Korrik dhe 7 Shtator 1990 shfuqizuan agresionin kushtetues të Serbisë të vitit 1989, duke shprehur kështu vullnetin dhe kërkesat e popullit për lirinë e Kosovës si hap i parë drejt pavarësisë së plotë të Kosovës.

“Mbështetja financiare e institucioneve të Kosovës ndaj delegatëve të 2 Korrikut, e cila do të jetë e përhershme, nuk është kompensim, sepse puna e tyre nuk paguhet. Është nderim institucional dhe përkujdesje njerëzore për ta dhe familjet e tyre. Shpreh mirënjohje veçmas për delegatët që sot nuk jetojnë në mesin tonë dhe u dërgoj mesazh respekti familjeve të tyre”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se përkrahja financiare për ish-delegatët do të jetë e përhershme./Insajderi.com