Delawie takon Gecajn e Krasniqin pas sulmit ndaj veturave private

Delawie takon Gecajn e Krasniqin pas sulmit ndaj veturave private

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka takuar mbrëmë Memli Krasniqin dhe Bajram Gecajn, anëtarë të kabinetit të Qeverisë së Kosovës, veturat private të të cilëve u sulmuan gjatë ditës së mërkure.

Rreth këtij takimi ka njoftuar vetë zëvendësministri i Administratës Publike, i cili e ka postuar një fotografi në Facebook, ku shihet me ambasadorin dhe ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Ambasadori amerikan para këtij takimi kishte shprehur brengën e tij rreth sulmit që ndodhi ndaj makinave të bashkëshortëve të Gecajt dhe Krasniqit, duke kërkuar që menjëherë të bëhet ndjekja penale e personave që kanë kryer këto akte.

Të mëkurën reth orës 1 të mëngjesit, vetura e gruas së ministrit Krasniqi, e parkuar afër banesës ku ata jetojnë, është vënë nën flakë pasi është sulmuar me shishe molotovi.  Sipas policisë, vetura ishte ë djegur nga dy persona.

Disa orë më vonë, edhe vetura e bashkëshortës së zëvendësministrit Gecaj ishte sulmuar, por që nuk është dëmtuar krejtësisht.

Vetë Gecaj e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kryerjen e këtyre sulmeve.

Qeveria e Kosovës i ka quajtur këto raste si sulme të grupeve anarkiste parapolitike. /Insajderi