Ambasadori Delawie: I qëndroj prapa kritikave ndaj opozitës

Ambasadori Delawie: I qëndroj prapa kritikave ndaj opozitës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se nuk është penduar për kritikat e bëra ndaj tri partive opozitare pas seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk kërkoj falje për deklarimet e mia, sepse dhuna dhe gazi lotsjellës në Parlament është i papranueshëm dhe po e dëmton Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Delawie sot në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ambasadori Delawie ishte shprehur i ashpër ndaj partive opozitare pas hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e parë të kuvendit të mbajtur për këtë vit, duke i quajtur veprimet e tilla si të neveritshme.

Pas kësaj deklarate, në rrjetet sociale u iniciuar një peticion që kërkonte largimin e tij nga Kosova, e që ambasadorit amerikan nuk i ka bërë shumë përshtypje.

“Janë disa persona që kanë shprehur disa mendime janë rreth 1300 persona që kanë nënshkruar një peticion.  Çdokush ka të drejtë të ngris peticione, është formë e demokracisë,” ka thënë ai./Insajderi