Delawie: Demarkacioni të kalojë, të ndalet lufta për pushtet

Delawie: Demarkacioni të kalojë, të ndalet lufta për pushtet

Ambasadori i SHBA’ve në Prishtinë, Greg Delawie rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin pro demarkacionit të Shteteve të Bashkuara.

Delawie në një intervistë për Gazetën Express tha se pavarësisht se çfarë do të ndodhë në seancën e nesërmve, edhe në rast se dështon votimi i marrëveshjes së Demarkacionit sipas tij, “marrëveshja për shënimin e kufirit nuk është në fakt çështja më me rëndësi këtu”.

“Por, ju them se Parlamenti duhet të votojë në favor të marrëveshjes për demarkimin e kufirit dhe nuk dua të përsëris pikat që i kam përmendur disa herë në të kaluarën, por thjesht dua të them se marrëveshja për shënimin e kufirit ashtu siç është arritur nga komisioni thotë se kufiri është i njëjti që ka ekzistuar prej vitit 1974, është kufiri që shihet në flamurin e Kosovës dhe se është kufi me një shtet mik”, ka deklaruar Delawie.

Delawie në këtë intervistë ka kritikuar partitë që po kërcënojnë me vrasje të kundërshtarëve politikë duke theksuar se e gjithë kjo që po ndodh është luftë për pushtet.

“Nuk do të përmend emrin e ndonjë partie, pasi nuk është e përshtatshme për mua si ambasador, apo ndoshta më shumë si i huaj… Por, mendoj se ju e keni një grup njerëzish që kanë thënë se do të bëjnë çdo gjë për të ndaluar këtë marrëveshje dhe ata e kanë demonstruar se çfarë mund të jetë ‘çdo gjë’. Unë mendoj që kjo është diçka e keqe për Kosovën”, ka deklaruar ambasadori amerikan. /Insajderi.com