Delawie: Bllokada politike dëmton qytetarët e Kosovës

Delawie: Bllokada politike dëmton qytetarët e Kosovës

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së re që fuqitë te tyre t’i koncentrojnë në gjetjen e rrugëdaljes dhe zhbllokimit të situatës, e jo në fjalosjet mes vete.

Duke folur për situatën politike në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, ai tha se deputetët asnjëherë nuk duhet të harrojnë se u zgjodhën nga populli për të punuar për popullin.

“Vonesa i kushton Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin ndërkombëtar”, thotë ai.

“Më duhet t’ua përkujtoj deputetëve se janë zgjedhur për të punuar për popullin. Dhe ata duhet të gjejnë kompromis”, ka shtuar diplomati amerikan.

Ai ka shtuar se Deputetët nuk janë zgjedhur që të rrinë në Prishtinë “dhe të fjalosen kot, apo të mos dalin fare në punë”.

“Është thelbësore që Kuvendi të formohet, që Qeveria të formohet, dhe këta zyrtarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Kosova”, ka thënë ai.

“Politikanët kosovarë duhet të marrin vendime të vështira dhe të rëndësishme, si dhe t’i marrin përgjegjësitë për ato vendime”.

Delaëie ka refuzuar t’ia drejtojë gishtin një personi apo ndonjë grupi politik si fajtor për gjendjen politike, por tha se u takon deputetëve të ofrojnë zgjidhje dhe t’i formojnë institucionet sa më parë.

“Nuk më takon mua që ta fajësoj dikë. Por, qytetarët e Kosovës po dëmtohen nga ky vendnumërim”, thotë ai.

“U takon 120 deputetëve që të gjejnë mënyrën se si të bëjnë përparim dhe ta kuptojnë se interesi i vendit është në rend të parë”.

“U takon atyre që të marrin vendime në të mirë të këtij vendi”.