Del para gjykatës për sulmin terrorist që e kreu në vitin 1974

Del para gjykatës për sulmin terrorist që e kreu në vitin 1974

Personi, Ilyich Ramirez Sanchez, i njohur si “Çakalli Carlos”, do të paraqitet sot në një gjykatë në Francë për sulmin terrorist me bombë në një shitore në Paris, në vitin 1974, me ç’rast u vranë dy persona dhe u plagosën 34 të tjerë.

Personi Ramirez, me shtetësi të Venezuelës, tash 67 vjeçar, ishte emëruar si “Çakalli Carlos” (Carlos the Jackal) nga mediat, sipas terroristit fiktiv në romanin e autorit, Frederick Forsyth, “The Day of the Jackal”, në vitin 1971.

Aktualisht, ai është në vuajtje të dënimit me burg të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Paris në vitin 1975 dhe një libanezi.

Ilyish Ramirez Sanchez, po ashtu, ishte dënuar për katër sulme me bomba në Paris dhe Marsejë, në vitet 1982 dhe 1983, nga të cilat u vranë 11 vetë dhe u plagosën afro 150 të tjerë.

Ai ishte arrestuar në Kartum të Sudanit në vitin 1994, nga policia elite franceze.

“Viktimat kanë pritur shumë gjatë që Carlosi të gjykohet dhe dënohet dhe plagët e tyre kurrë nuk janë shëruar”, tha avokati, Georges Holleaux, i cili i përfaqëson dy gra, burrat e të cilave janë vrarë, dhe 16 persona të tjerë.

Ilyich Ramirez Sanchez i ka hedhur poshtë akuzat.