Del në qarkullim pulla postare nga Filatelia e Kosovës

Del në qarkullim pulla postare nga Filatelia e Kosovës

Në Bashkësinë e Popullit të Zotit u prezantua dhe u lëshua në qarkullim pulla postare nga Filatelia e Kosovës, për nder të Javës së Reformacionit.

Në këtë ngjarje Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Driton Krasniqi, u shpreh se me lansimin e kësaj pulle postare është nderuar populli dhe kultura jonë.

Sipas tij emetimi i kësaj pulle e ka vendosur Kosovën në hartën e shteteve që po bëjnë të njëjtën gjë për nder të 500 vjetorit të Reformacionit Protestant.

Ai ka shtuar se gjatë kësaj jave ku shënohet 500 vjetori i reformacionit protestant, njerëzit janë duke e kthyer kokën nga historia, në mënyrë që luftërat fetare të mos përsëriten.

Kurse Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, ka thënë se Filatelia e Postës së Kosovës ka për mision që përmes pullës të promovojë kulturën. Ai ka thënë se është shumë i lumtur që pullat që po lëshohen nga Posta e Kosovës po vlerësohen nëpër botë, duke përmendur këtu edhe pullën e “Nënë Terezës” që është vlerësuar si më e bukura në botë.

Përndryshe, dizajnin e pullës postare në nderim të Javës së Reformacionit e ka dizajnuar Fidan Bejtullahu.