Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë ka marrë iniciativën për, siç ka thënë ai, dekriminalizimin e skenës politike dhe të posteve publike.
Iniciativës së presidentit i kishte dhënë mbështetje ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conell. Ai kishte kërkuar parti politike të shëndosha, demokratike e transparente.
“Populli duhet të kërkojë më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe t’i mbajë ato llogaridhënëse”, kishte theksuar ai.
Por presidenti Thaçi nuk ka dhënë sqarime nëse do ta përfshijë edhe vetveten në dekriminalizimin e posteve publike. Pozita e presidentit është publike.
Emri i tij është përmendur ndër të dyshuarit kryesorë të mundshëm në raportin e Dick Martyt për krime lufte në Kosovë.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Zyrën e Presidentit nëse ai do të japë dorëheqje në rast se ngrihet aktakuzë ndaj tij për krime lufte, si formë e dekriminalizimit të posteve publike, por tash e disa ditë nuk kanë kthyer përgjigje.
Nismë të tillë për ‘pastrimin’ e skenës politike Thaçi nuk e kishte bërë gjatë kohës sa ishte kryeministër dhe kryetar i PDK-së, edhe pse disa figura të larta të partisë, të cilët ishin në poste publike, përfshirë edhe kryetarë komunash, u akuzuan, e disa sosh edhe u dënuan.
Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se qëllimi i Thaçit është largimi i opozitës nga Kuvendi, kur dihet fakti se një pjesë e tyre janë duke u hetuar për protestat me gaz lotsjellës.
Kurse zyrtar të Nismës për Kosovën këtë iniciativë e kanë quajtur hipokrizi të presidentit.
AAK-ja vlerëson se nisma e tij po bëhet për konsum vetanak të tij, për të cilin thotë se sa ishte kryeministër nuk ndërmori këso iniciativash.
Ndërkaq, zyrtar të LDK-së, e cila është në koalicion me ish-partinë e presidentit, PDK-në, janë treguar më të kujdesshëm, duke thënë se për nisma të tilla duhet të ketë koordinim mes partive politike.
Zyrtar të ish-partisë së presidentit, PDK-së, kanë thënë për Insajderin se nisma e ish-shefit të tyre do të duhej të bëhej edhe ligj./Insajderi.com