Deklarohen të pafajshëm edhe tre të akuzuarit tjerë në rastin e Ukë Rugovës

Deklarohen të pafajshëm edhe tre të akuzuarit tjerë në rastin e Ukë Rugovës

U deklaruan të pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës, edhe tre të akuzuarit e tjerë që munguan në seancën fillestare të mbajtur më 11 janar. Në këtë seancë kishte munguar Liridona Beqiri si dhe avokatët e dy të akuzuarve të tjerë, Hasan Shaqirit dhe Haxhi Islamit.

Në vazhdimin e shqyrtimit fillestar të së mërkurës, e akuzuara Liridona Beqiri erdhi në seancë me dy foshnjet e saj. Gjyqtari i Eulexit-it, Vladimir Mikula, e lejoi atë në seancë, me arsyetimin se nuk ka pasur kush të kujdeset për foshnjat e saj. Ajo nuk ishte paraqitur në seancën e 11 janarit me arsyetimin se kishte pasur probleme shëndetësore. Kjo ishte hera e parë, që nga fillimi i gjykimit të Ukë Rugovës dhe të tjerëve, që e akuzuara Liridona Beqiri u paraqit në gjykatë, e cila kishte munguar në seancat fillestare të mbajtura deri më tash.

Gjyqtari Mikula caktoi 10 shkurtin, si afatin përfundimtarë kur palët mundë ta kundërshtojnë aktakuzën. Ai tha se pas kësaj date do të vendoset se a do të mbahet shqyrtimi dytësor apo do të kalojnë direkt në shqyrtim kryesor.

Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 11 janar, për herë të dytë ish-deputeti Rugova dhe ish-ministri Haraqija u deklaruan të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen.

Ky proces gjyqësor u kthye nga fillimi, pasi që gjyqtarit paraprak të çështjes Victor Partal, nuk iu kishte vazhduar mandati, ku rastin në fjalë kaloi te gjyqtari polak i EULEX-it,Vladimir Mikula.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit, njofton “Betimi për Drejtësi”.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.