Deklarata e ambasadorit amerikan: Thaçi dhe Vuçiq kanë mbështetjen tonë

Deklarata e ambasadorit amerikan: Thaçi dhe Vuçiq kanë mbështetjen tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugëtimin për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve mes tyre.

Kështu ka bërë të ditur Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, ndërsa ka theksuar se SHBA mbështetet në zgjuarsinë e shefes për  Politikë  të Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, njofton Klan Kosova.

Duke qenë se Federica Mogherini është ndërmjetësuese e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel, Scott në një konferencë në Beograd ku debatohej për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se ka tre çështje kritike në rajon:

”Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë si dhe mbajtja e Bosnja Hercegovinës shtet”.

Siç citohet nga Shërbimi i Ballkanit i Radio Europa e Lirë, ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scot ka thënë:

”Lajm i mirë është se këto probleme nuk janë të pazgjidhshme. Shohim guxim te liderët e Maqedonisë dhe Greqisë. Përparimi në Bosnje nuk është aq i shpejtë. Në Beograd shohim lëvizje të reja sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (me Kosovën). Shpresojmë se zgjidhja e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt”.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi si dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq kanë shpalosur së fundi idenë e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

Ndërsa ndërmjetësuesja e bisedimeve në Bruksel, Federica Mogherini ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme përderisa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, njofton Klan Kosova.