Deklaratat e presidentit që shihen si rrezik për agjentët e AKI-së

“Syri i Popullit” organizata e cila e mori përgjegjësinë për plagosjen e avokatit Azem Vllasi mëngjesin e që hënës, ka aktivizuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të nxjerrë detaje rreth aktivitetit dhe organizimeve të kësaj organizate, ende pa dalë asnjë qëndrim zyrtar i organeve të ndjekjes. Njohësit e fushës së sigurisë dhe të ligjit thonë se këto deklarata rrezikojnë agjentët e AKI-së.

Deklaratat e presidentit që shihen si rrezik për agjentët e AKI-së

Ende pa dhënë asnjë vlerësim zyrtar Policia e Kosovës rreth organizatë “Syri i Popullit”, punën e saj e ka “kryer” presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si organizatë terroriste.

Presidenti ka thënë se kjo organizatë madje ka planifikime të ngjeshura, duke shtuar se në listën e saj janë 26 njerëz të cilët, sipas saj, duhet të ekzekutohen. Presidenti Thaçi thotë ta ketë parë këtë listë. Ishte raportuar se në këtë listë figuronte edhe vetë presidenti Thaçi.

“Në listë janë 26 njerëz të cilët, sipas kësaj organizate terroriste, duhet të ekzekutohen. Aty janë liderë të ndryshëm politikë të Kosovës, bartës të luftës së fundit, gazetarë, opinionistë e komandantë të ndryshëm të luftës”, ka thënë Thaçi dje në një intervistë në ‘TV 21’.

I pari i vendit organizatën “Syri i Popullit” e ka lidhë me agjenturat e Moskës.

“Kur shihet se nga kush përbëhet ajo listë e personave për ekzekutim, lidhshmëria e qartë është me lidhjet jo mike të Serbisë e që dalin drejt në Moskë”, ka shtuar Thaçi.

Policia ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj organizate e cila e ka marrë përgjegjësinë për plagosjen e avokatit Azem Vllasi.

Insajderi ka kontaktuar zëdhënësin e policisë, Bajram Krasniqi, nuk ka dashur të komentojë rreth organizatës por as për deklaratat e presidentit për të.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë për Insajderin se për ta cilësuar këtë organizatë si terroriste, duket të ketë procedurë gjyqësore.

“Për të zyrtarizuar këtë qëndrim, sigurisht se duhet të ketë një procedurë ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se është në interes të publikut për të pasur informacionet e para mbi këtë organizatë, nëse ekziston si e tillë dhe çka janë faktet e para rreth saj.

Ai ka thënë se çështja e dhënies së informacioneve të klasifikuara në publik është çështje më e ndërlikuar.

Ramadani beson se deklaratat e presidentit të mos kenë qëllim orientimin e hetimeve.

“Të paktën do të doja që deklarata e Presidentit të mos kishte për qëllim influencimin në punën hetimore të organeve të ndjekjes në këtë rast. Kjo, pavarësisht se për çfarë rasti bëhet fjalë, nuk duhet të orientojë institucionet në ndonjë logjikë të mungesës së procedimit ligjor fer dhe të paanshëm”, ka shtuar Burim Ramadani për Insajderin.

Kurse për hulumtuesin e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaratat e presidentit Thaçi rrezikojnë agjentët e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, por edhe pengojnë hetimet.

“Deklarata e Hashim Thaçit ishte në kundërshtim me atë që AKI-ja kërkoi përmes një komunikate publike që të mos komentohet këto gjëra sepse po rrezikohen njerëzit e saj në terren. Presidenti kur ka këso informata për përgatitjen e grupeve të caktuara, nuk duhet t’i komentojë, sepse, në radhë të parë i pengom hetimet, dhe e dyta, i dëmton agjentët që janë duke operuar në terren”, ka thënë Miftaraj për Insajderin.

Ai ka thënë se kjo është një praktikë e keqe që informatat që i merr në bazë të ligjit dhe kushtetutës t’i ndaj me publikun, duke e quajtur këtë veprim si joserioz.

Sipas tij, presidenti dhe kryeministri janë dy personat e parë që pranojnë informata prej Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë që kanë të bëjnë me terrorizëm.

AKI kishte kërkuar publikisht që të mos publikohen materiale të paautorizuara duke e cilësuar atë si dëmtim të sigurisë kombëtare.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, duke marrë parasysh rrethanat që janë krijuar me ngjarjen e fundit, e ku përmenden të dhëna që kanë dalë nga AKI, deklaron zyrtarisht se, asnjë nga të dhënat e publikuara nuk është e vërtetë, dhe së këndejmi thërret mediet dhe opinionin publik për maturi që të mos shpërndajnë asgjë të paautorizuar!”

“AKI e kualifikon këtë si një fakt në dëm të sigurisë kombëtare, dhe se për çdo gjë që AKI ka për të deklaruar, këtë e bën vetëm përmes adresës elektronike zyrtare dhe faqes zyrtare në internet (www.aki-rks.org)!”, thuhet në një njoftim të kësaj agjencie.

Organizata “Syri i Popullit” ka marr përgjegjësinë për plagosjen e avokatit Azem Vllazi.

Përmes një komunikate për media dërguar nga kjo organizatë thuhet se “Organizata ‘Syri i Popullit’ merr përgjegjësinë për plagosjen e titistit, Azem Vllasi!”.

“Ky gjakpirës antishqiptar ka qenë një murtajë e vërtetë për shqiptarët e Kosovës që ka punuar për interesat e Jugosllavisë vrastare”, thuhet ndër tjerash në këtë komunikatë.

Kjo organizatë ka bërë të ditur se do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe janë pasuruar në emër të luftëtarëve çlirimtar.

“Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar mbi gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, thuhet në këtë komunikatë.

Plagosjen e avokatit Azem Vllasi, policia e kishte cilësuar si ‘vrasje të tentativë’. Vllasi kishte marrë trajtim të menjëhershëm mjekësor në QKUK, për t’u liruar më pas./Insajderi.com