Deklarata e Johannes Hahn për çështjen çame nxitë zemërim në Greqi

29.09.2016 22:27
Deklarata e Johannes Hahn për çështjen çame nxitë zemërim në Greqi

Deklarata e komisionerit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, se çështja çame ka mbetur e diskutueshme në mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka ngritur shqetësimet e kësaj të fundit.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, ka qenë shumë i ashpër në reagim, ku ka kërkuar nga komisioneri Hahn që të tërheqë deklaratën e tij.

Ai thotë se komisioneri ka shkelur kompetencat e tij, duke ndërhyrë në punët e vendeve anëtare.

Athina vlerëson se Hahn ka hapur debate për çështje që tashmë nuk ekzistojnë.

”Deklarata e komisionerit Johanes Hahn është e pavërtetë dhe e papranueshme. Siç dihet, çështja çame është inekzistente dhe si e tillë, kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi, midis qeverive të Greqisë dhe Shqipëris”, ka deklaruar Kotzias.

Në deklaratën e Athinës ndër të tjerash thuhet se komisioneri Hahn, me përgjigjen e tij të gënjeshtërt, tregon se nuk ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të asnjëanësisë, në mënyrë që të avancohet interesi i përbashkët i unionit, siç parashikohet në nenin 17 të Konventës së Lisbonës., njofton televizioni publik.

“Që tani i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme, bindëse përsa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt, të përgjigjes së tij të kontestuar”, thuhet në reagimin e Athinës zyrtare.