Deklarata e Ivanoviqit për “Zajednicën”, kërcënim i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj Kosovës

Deklarata e Ivanoviqit për “Zajednicën”, kërcënim i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj Kosovës

Kryetari i iniciativës qytetare “Serbia, Drejtësia, Demokracia”, Oliver Ivanoviq – i cili është duke mbajtur burg – u ka rekomanduar liderëve serbë të veriut që ta formojnë vetë “Zajednicën” (Asociacionin e Komunave Serbe), pasi që, sipas tij, këtë Prishtina nuk do ta bëjë.

Lidhur me këtë deklaratë të Ivanoviqit, këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj ka thënë për Telegrafin se serbët mund të ndërmarrin veprime ilegale në çdo kohë, por ato nuk do të pranohen as nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga komuniteti ndërkombëtar.

“Me deklarata të tilla, Oliver Ivanoviq vetëm provon se akuzat ndaj tij kanë gjasa të mira të jenë të sakta”, ka thënë Gecaj.

Edhe dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar ndaj deklaratës së liderit të SDP-së.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë për Telegrafin se deklarata e Ivanoviqit vjen si kërcënim i drejtpërdrejtë nga Serbia.

“Kjo e keqe që po e kanos Kosovën ka dy anë të medaljes: ne njërën anë kemi kërcënimet e Serbisë dhe njerëzve të saj, e në anën tjetër kemi qyqarllëkun e Qeverisë dhe pushtetit në Kosovë”, ka thënë Selimi.

Ai ka theksuar se Kosova është gjithnjë në rrezik nga Serbia, duke shtuar se janë duke vazhduar të kundërshtojnë themelimin e “Zajednicës” dhe se “sa më afër të jetë rreziku, aq më shumë do të veprojmë për të shpëtuar nga ai rrezik”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i AAK-së, Muahrrem Nitaj, ka thënë për Telegrafin se kjo deklaratë e Ivanoviqit nuk ia vlen të komentohet pasi – sipas tij – ai është i burgosur e i akuzuar dhe deklaratat e tij politike nuk kanë kurrfarë peshe.

“Ka kaluar koha kur serbët kanë mundur të bëjnë veprime të njëanshme. Liderët e tyre është mirë që ta pranojnë realitetin dhe ta kuptojnë se e ardhmja e serbëve në Kosovë është integrimi e jo dezintegrimi. Kosova është e pavarur dhe shumë e vendosur që të respektojë të drejtat e pakicave. Asociacioni do të krijohet, jo sepse këtë e duan serbët, por sepse Kosova ka pranuar të jetë gjeneroze në raport me të drejtat e pakicave. Por, Kosova nuk mund të krijojë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka thënë Nitaj.

Analisti Imer Mushkolaj, u shpreh se serbët nuk do të fitonin asgjë nëse e krijojnë vetë Asociacionin.

“Atyre nuk iu duhet një strukturë ilegale, por një e krijuar nga Prishtina. Andaj, ata do të presin themelimin e tillë duke shtuar presionin”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ai ka shtuar se Asociacioni do të krijohet dhe se Prishtina këtë e ka obligim.

“Kjo strukturë nuk duhet ta cenojë rregullimin shtetëror, politik e juridik të vendit. Themelimi duhet kushtëzuar me përmbushjen – nga Serbia – të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”, ka thënë Mushkolaj.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, partitë opozitare kanë kundërshtuar vazhdimisht themelimin e Asociacionit, e madje për këtë kanë organizuar protesta të mëdha në kryeqytet.