Dega që propozoi Vjosa Osmanin nuk ishte ftuar në ceremoninë për Abrashin

Dega që propozoi Vjosa Osmanin nuk ishte ftuar në ceremoninë për Abrashin

Isa Mustafa, Agim Veliu e Lutfi Haziri kishin vendosur ta injoronin Degët e LDK-së në Prishtinë kur prezantuan Arban Abrashin për kryetar të kryeqytetit. Aty madje nuk ishte as Ismet Beqiri, njëri prej njerëzve kryesor të kësaj partie në Prishtinë.

Kryetari i Degës së IV të LDK-së thotë se askush nuk i ftoi në ceremoninë e prezantimit të kandidatit. Tha se vetëm prej medieve u njoftuan se çfarë ndodhi.

Isa Mustafa – kryetar i LDK-së dhe dy nënkryetarët, Agim Veliu e Lutfi Haziri kishin organizuar prezantimin e Arban Abrashit për kryetar të LDK-së.

Në krejt këtë ceremoni ishin injoruar të gjithë kryetarët e Degëve të LDK-së në Prishtinë.

Madje, nuk ishte ftuar as Ismet Beqiri, kryetar i Degës së V të LDK-së dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie.

Pa ftesa ishin edhe katër kryetarët tjerë të degëve më të rëndësishme të LDK-së në Prishtinë.

Kryetari i Degës së IV-së, Halim Muçolli thotë se nuk e di pse nuk u ftuan të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Abrashit si kandidat i LDK-së për kryetar të qytetit më të rëndësishëm në Kosovë.

“Vetëm nga mediet kemi marrë informacione. Asnjëri prej Kryetarëve të Degëve nuk ka marrë pjesë”, ka thënë Muçolli, dega e të cilit pati propozuar Vjosa Osmanin për Shefe të Prishtinës.

Arban Abrashi fitoi kandidaturën për Kryetar të Prishtinës në një garë me Ismet Beqirin e Avdullah Hotin, i cili në fund ishte tërhequr nga synimi për të qenë i pari i Prishtinës. Në një votim të fshehtë, i aplikuar për herë të parë në LDK, kishte fituar Arban Abrashi përballë Ismet Beqirit.

Ndërkohë, Beqiri, në një reagim publik, të shtunën, tha se i vjen keq pse LDK nuk e propozoi për kryetar të Prishtinës. Tha se kishte përkrahjen e të gjitha strukturave të LDK-së.

Madje, në atë reagim, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së nuk e tha se do të përkrahin Arban Abrashin për Shef të Prishtinës.

Ndërkohë, Halim Muçolli thotë se e kanë obligim të përkrahin kandidaturën e Abrashit pavarësisht veprimeve të Kryesisë së LDK-së.

“Sigurisht se ne do ta përkrahim kandidaturën e Abrashit. Por, duhet të mblidhemi dhe të hartojmë një strategji për fitore”, ka shtuar ai.

Arban Abrashi, ish-Ministër dhe tash deputet, ka hyrë në garë për t’u bërë Shef i Prishtinës në një garë ku ballafaqohet me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes, Arbër Vllahiun e AAK-së, Lirak Çelajn e PDK-së e Selim Pacollin e AKR-së.

Prishtina prej pasluftës deri më 2013 ishte udhëhequr prej LDK-së. Fillimisht, Kryetar ishte Ismet Beqiri deri më 2007, pastaj Isa Mustafa deri më 2013, kur edhe humbi përballë Vetëvendosjes.