Deda: Vetëvendosja bëri gabim që nuk u bashkua me LAA-në

Deda: Vetëvendosja bëri gabim që nuk u bashkua me LAA-në

Deputeti i koalicionit LAA dhe anëtari i Alternativës, Ilir Deda e quan të gabueshme veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje që nuk iu bashkua koalicionit parazgjedhor me LDK-në, AKR-në dhe Alternativën.

Deda ka thënë se po të bëhej ky koalicion me një formulë të gjerë sot do të ishte një situatë e qartë dhe nuk do të humbej koha me numrat për krijimin e qeverisë.

“Kemi filluar diskutimit me LDK-në dhe kemi dashur që në koalicion të bashkohet edhe Vetëvendosje. Ata nuk kanë ardhur në koalicion dhe kanë bërë gabim që Vetëvendosje nuk na është bashkuar”, ka thënë Deda për Lajmi.net.

“Kanë bërë gabim që nuk kanë qenë pjesë e koalicionit sepse sot e kishim  pas një situatë më të qartë dhe e kishim pas shumicën parlamentare dhe nuk ishim marrë dy muaj ditë se i ka apo jo numrat. Po kishë qenë një shumicë e qartë në kuvend e cila do ta kishte kryetarin e kuvendit dhe qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

Deda është shprehur i bindur që PDK-AAK-NISMA nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë e re.

Sipas Dedës thirrja që barti Thaçi partive politike për të diskutuar për datën e seancës konstituive, ka qenë vetëm zvarritje e procesit të themelimit të institucioneve, ndërsa ka shtuar se ai po sillet ende si kryetar i PDK-së.